E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia; Rritja e interesit të euros i shtrenjton

TAB

Efektet e rritjes së normës së euros nga BQE-ja:

-Importet do të ndikohen, pasi do të rriten çmimet

-Depozitat, do të rritet interesi, qytetarët përfitojnë më shumë

-Kredia, rritet interesi, qytetarët do të paguajnë më shtrenjtë kredinë

Pas rreth një viti Banka Qendrore Evropiane ka rritur sërish normën bazë të interesit për monedhën e eurozonës, euro. BQE-ja rrit normën e interesit të euros, pritet shtrenjtimi i kredisë. BQE-ja ka rritur me 0.25 koston e euros, duke e çuar normën bazë të interesit në 4.25 për qind. Kjo rritje do të japë efektet e saj edhe në tregun shqiptar. Ekspertët zbardhin efektet në ekonominë shqiptare. Sipas tyre, efekt pozitiv do të ketë për depozitat në euro, pasi rritet interesi i tyre dhe njëkohësisht edhe fitimi i qytetareve, ndërsa nga ana tjetër, ata që kanë marrë kredi në euro, do të paguajnë atë më shtrenjtë.

Norma bazë e interesit të monedhës evropiane është rritur pas rreth një viti. Qershorin e kaluar norma bazë u rrit me 0. 25 për qind duke shkuar në 4 për qind dhe tani Banka Qendrore Evropiane ndërhyn duke e rritur atë me 0.25 për qind. Banka Qendrore Evropiane, autoriteti më i lartë i politikës monetare të eurozonës, rriti me 0,25% normën bazë të interesit të euros, e cila kaloi nga 4 për qind, në 4,25%.

Sipas ekspertëve të tregjeve valutore, një vendim i tillë do të gjejë pa dyshim pasqyrim edhe në rritjen e barrës së pagesës së qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë marrë kredi në euro. Vitet e fundit, bankat e pranishme në vend kanë këshilluar klientët e tyre që të parapëlqejnë kredi në monedhën evropiane. Për më tepër, një gjë e tillë ka qenë paracaktuar edhe nga fakti se ndërtuesit kanë preferuar të shesin apartamentet në euro, si një monedhë më e shëndoshë se dollari apo leku shqiptar. Nga viti në vit, në përputhje me këtë, por edhe me faktin se në vendin tonë prurjet nga emigrantët janë më të shumta në euro, pagesat janë preferuar të kryhen në monedhën evropiane. Norma e interesit për vendet e eurozonës para se të bëhej ndryshimi, ishte 3.75 për qind, por rreziqet gjithnjë në rritje për tendenca inflacioniste vunë në alarm drejtuesit e autoritetit qendror monetar në Evropë. Rritja e vrullshme ekonomike, si dhe ritmet e larta të kreditimit të ekonomisë në vendet e Bashkimit Evropian mbeten një kërcënim serioz për qëndrueshmërinë e çmimeve. Këta faktorë duket se kanë detyruar drejtuesit e Bankës Qendrore Evropiane të rrisin normën bazë të interesit, masë kjo që do të kontrollonte inflacionin. Rritja e normës së interesit pritet të forcojë më tej euron kundrejt monedhave të tjera, duke përfshirë këtu edhe lekun. Një gjë e tillë shihet me shqetësim nga specialistët vendas, të cilët vlerësojnë se forcimi i euros e dëmton drejtpërdrejt ekonominë shqiptare. Pavarësisht se vlerësimi i monedhës së përbashkët evropiane favorizon eksportet tona në drejtim të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në tërësi një masë e tillë parashikohet të jetë e dëmshme për ekonominë e vendit, duke qenë se importet e mallrave dhe të shërbimeve nga vendet e BE-së janë shumë herë më të larta se eksportet tona drejt tyre. Kështu, një gjë e tillë mendohet të rritë më tej deficitin tregtar dhe shumën e parave që dalin jashtë nga Shqipëria për të paguar mallra e shërbime, të cilat nuk mund të sigurohen në vend.

Rritja e normës bazë të euros, efekte edhe jashtë eurozonës

Vendimi i BQE-së për ndryshimin e normës bazë të interesit të euros pritet të japë efektet e saj edhe në vendet që nuk janë në eurozonë. Së pari, ky efekt do të ndihet në importet që kryejnë këto vende, mes tyre edhe në Shqipëri. Por gjithashtu ndikimi do të shtrihet tek depozitat dhe kreditë e bankave të nivelit të dytë. Nga njëra anë, një pjesë e qytetarëve do të përfitojnë nga kjo masë dhe pikërisht janë ata që kanë depozituar në banka kursimet e tyre në monedhën evropiane. Bankat do të rrisin interesin në euro dhe përfitimi i depozituesve do të jetë më i lartë. Nga ana tjetër, qytetarët që kanë marrë kredi në banka do të nxjerrin nga xhepat e tyre më shumë para se ç’kishin parashikuar për të shlyer borxhin që kanë marrë në banka, pasi interesi i kredive do të rritet. Të pyetur për efektet që do të ketë rritja e interesit bazë në masën 4.25 për qind të euros, ekspertë të bankingut parashikojnë ndikimin që do të ketë ky vendim në ekonominë shqiptare. Sipas ekspertëve të bankingut, rritja e normës së interesit të euros, mendohet se do të sjellë rritjen e kostos së huamarrjes në euro në tregun ndërbankar. Kjo, sepse rritet kostoja e huamarrjes nga BQE-ja dhe kjo transmetohet në tërë nivelin bankar. Si pasojë, vlerësohet se do të rriten edhe indekset e lidhura me huamarrjen në euro, si për shembull EURIBOR-i apo LIBOR-i për euron. Rritja e indekseve do të sjellë rritjen e kostos se kësaj monedhe për përdoruesit finalë si kredia etj. Së fundi, teoria sugjeron se rritja e normës bazë të euros synon një frenim të rritjes së shpejtë e të pakontrolluar të ekonomisë, çka përbën premisë kryesore për rritjen e inflacionit. Për të mbajtur inflacionin në nivele të kontrolluara (apo të targetuara) instrumenti apo kanali i normave të interesit kryen rolin e vet në nxitjen apo frenimin e kredidhënies, pra rritjes së ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›