E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni i fundit për Zanettin ?

Javier Zanetti ende nuk ka marrë vendim nëse ky do të jetë sezoni i tij i fundit si futbollist i Interit. Argjentinasi i cili do të mbush 39 vjet në gusht, ka vetëm edhe një vit në kontratën e tij me gjigantin milanez.

“Nuk e di nëse ky do të jetë sezoni im i fundi”, tha ai për Sky Sport Italia. “Varet se si ndihem fizikisht”, shtoi ai. Ikona e Nerazzurrëve iu bashkua klubit në verën e vitit 1995 dhe ende vazhdon të jetë titullar në skuadër. “Si zakonisht jam këtu për të ndihmuar ekipin dhe klubin”, u shpreh ai nga Pinzolo, ku Interi është duke zhvilluar përgatitjet për sezonin e ri.

“Ne hyjmë në përgatitje me optimizëm. Çdo vit përgatitjet janë ndryshe dhe sigurisht se edhe kësaj radhe ekziston një ndjenjë tjetër. Disa futbollistë të mirë nuk janë më këtu por kanë ardhur të tjerë që janë po aq kualitativ. Më pëlqen ajo që po bënë klubi në afatin kalimtar”, vazhdoi argjentinasi.

Interi konfirmoi Andrea Stramaccionin në postin e trajnerit pas emërimit të tij në bazë të përkohshme në vend të Claudio Ranierit në mars. “Andrea ka shumë personalitet dhe ide të qarta. Ai është duke i transmetuar ato te futbollistët e pastaj kërkon nga ne ti shndërrojmë ato në praktikë”, përfundoi Zanetti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›