E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezonin tjetër, në Shqipëri?

Drejtuesit e Prishtinës e kanë vlerësuar pozitiv pëlqimin që Federata Shqiptare e Futbollit i bëri iniciativës së tyre për t’iu bashkuar Superligës së Shqipërisë. Bardhekaltrit tani besojnë se nga sezoni tjetër do të jenë anëtarë të kampionatit shqiptar. Por, drejtuesit e futbollit shqiptar thonë se për këtë do vendosin FIFA e UEFA.

Ka mjaftuar vetëm një diskutim në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për Prishtinën që kjo e fundit ta rritë dukshëm optimizmin se nga edicioni i ardhshëm do të mund të garojë në Superligën shqiptare.

Në fakt, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së të enjten e ka shqyrtuar kërkesën e Prishtinës, e cila javë më parë pati kërkuar nga shtëpia e futbollit shqiptar që të lejohet të marrë pjesë në Superligën e Shqipërisë.

Këtë kërkesë shtëpia e futbollit shqiptar e ka mbështetur si ide, por nuk e ka aprovuar e as nuk e ka refuzuar atë, pasi paraprakisht dëshiron të marrë rekomandime nga FIFA, UEFA dhe institucionet tjera të Shqipërisë e Kosovës.

Edhe pse nuk morën një përgjigje të prerë nga Tirana, prishtinasit janë të gëzuar vetëm që FSHF-ja diskutoi rreth kërkesës së tyre. Bardhekaltrit thonë se kjo është shenja e parë që paralajmëron se kërkesa e tyre shumë shpejt do të aprovohet.

“Ne e falënderojmë FHSF-në për shqyrtimin e kërkesës sonë dhe për pëlqimin publik që ia bëri iniciativës sonë. Ne shpresojmë se edhe FIFA e UEFA do t’i japin opinione pozitive FSHF-së, sepse jemi të bindur se kërkesa jonë është legjitime dhe nuk e cenon asnjë rregullore të institucioneve sportive e shtetërore”, ka deklaruar për Express nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi.

Madje, ai është i bindur se nga edicionin 2012/2013 klubi bardh e kaltër do të garojë në Superligën e Shqipërisë. “Kjo është mënyra e vetme për ta thyer izolimin shekullor. Qëllimi ynë është që garat t’i nisim menjëherë në Superligën e Shqipërisë. Nuk besoj se klubet shqiptare do ta kundërshtojnë këtë, sepse FSHF-ja sigurisht se është konsultuar me to para se ta japë publikisht mbështetjen e nismës sonë. Por, këto detaje do të rregullohen pasi të merret opinioni nga FIFA e UEFA”, vazhdoi Muçiqi.

Por, në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, ka pohuar se FC Prishtina nuk duhet të nxitojë, pasi për këtë fjalën e fundit do ta thonë FIFA e UEFA.

“Do të presim përgjigjen nga FIFA dhe UEFA dhe më pas, në rast se përgjigjja është pozitive, do ulemi të bisedojmë me krerët e FFK-së. Nuk e di se kur mund të vijë përgjigja nga FIFA e UEFA”, ka deklaruar Prodani për Express.

Por, nëse FIFA e UEFA japin përgjigje pozitive, Prodani nuk ka sqaruar qartë nëse Superligës së Shqipërisë do t’i bashkohet vetëm Prishtina, apo do të formohet një ligë e përbashkët mes Shqipërisë e Kosovës.

“Në varësi prej miratimit që mund ta jep FIFA e UEFA, do bisedojmë me FFK-në. Çdo veprim duhet të bëhet në marrëveshje mes dy federatave”, theksoi Prodani.

Prishtina ka potencial për dy ekipe

Me pjesëmarrjen eventuale të Prishtinës në Superligën e Shqipërisë, elita e futbollit kosovar nuk do të mbetet pa skuadrën bardh e kaltër. “FC Prishtina do t’i bëjë dy ekipe – njërin për Shqipëri e tjetrin për Kosovë”, ka deklaruar Muçiqi.

Muçiqi: FFK gjithmonë na injoron

Ashtu siç kishte kërkuar FSHF-ja, Federata e Futbollit e Kosovë (FFK) të enjten e ka dhënë opinionin zyrtar të saj, duke mbështetur formimin e një lige të përbashkët mes Kosovës e Shqipërisë, por jo ashtu siç kishte kërkuar Prishtina që e vetme, eventualisht edhe me një ekip tjetër kosovar, të garojë në elitën e Shqipërisë.

Afrim Muçiqi pohoi se në këtë mënyrë drejtuesit e futbollit në Kosovë po përpiqen ta pengojnë realizimin e nismës së Prishtinës. “Sa herë që Prishtina e ka nis ndonjë iniciativë në favor të përgjithshëm, gjithmonë ato iniciativa janë injoruar nga FFK-ja, e cila po e injoron edhe këtë nismë, që po mbështetet nga të gjithë të tjerët”, deklaroi Muçiqi.

Por, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, mohon këto akuza. “Asnjëherë nuk e kemi injoruar. Ne jemi deklaruar pro një lige të përbashkët, e jo kundër. Në fund të fundit kjo iniciativë ka lind që 12 vite, e Prishtina e ka nis tash pa u konsultuar me askënd. Prishtina nuk mund të udhëheqë futbollin kosovar, sepse ajo është veç një klub dhe asgjë më shumë”, u shpreh ai.

Si do që të jetë, pritet të shihet se a do t’i bashkohet Prishtina futbollit shqiptar apo Kosova dhe Shqipëria do ta bëjnë një ligë të përbashkët. Apo garat do t’i zhvillojnë të ndara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›