Sfidë dinamovitesh Sejdini - Bici

Dinamo, skuadra kryeqytetase që ka regjistruar tre humbje në katër javë kampionat, një start që lë shumë për të dëshiruar për 16-herë kampionët e Shqipërisë, do të përballet ditën e dielë me Shkumbinin kryesuese që në katër javët e para ende e ruan kolonën e humbjeve të pastër. Dinamo, vjen në ballafaqimin e 30-të midis dy ekipeve pas humbjes me Tiranën (2-1) në një kohë që udhëhoqi pjesën e parë të takimit me rezultatin 1-0. Shkumbini, që në ndeshjen e fundit barazoi me blutë 0-0 (15 prill 2006), asokohe skuadra bardhekaltër drejtohej nga Faruk Sejdini, ashtu si Dinamo nga Vasil Bici, në ballafaqimin e parë në kryeqytet kërkon të dëshmojë se meriton kryesimin.
Të dy trajnerët kanë njohje përfekte për skuadrat kundërshtare, që dikur i kanë drejtuar me sukses vetë. Sezonin e kaluar Sejdini e shpëtoi Shkumbinin nga rënia në Kategorinë e parë, ashtu si Vasil Bici që zëvendësoi tre trajnerë te Dinamo (dy kroatë dhe një shqiptar) arriti ta conte Dinamon në Kupën UEFA.
Ndeshja do të zhvillohet ditën e diel në stadiumin "Selman Stërmasi" (ora 14:00) dhe do të gjykohet një treshe gjyqtarësh me kryesor Pajtim Lapin.