E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shala insiston të kthehen pensionet

Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, edhe një herë ka insistuar që të kthehen në Kosovë paratë e AKP-së.

Kësaj here deklaroi në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, pas pyetjes që i bëri deputetja Mimoza Ahmeti, e cila kërkoi sqarim nga ministri Shala se cilat janë mekanizmat për kthimin e këtyre mjeteve për investim në vend.

Shala deklaroi se janë duke mbajtur takime të rregullta me përfaqësuesit e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO), që të gjejnë një zgjidhje për kthimin e mjeteve të privatizimit dhe të Trustit Pensional për investime në ekonominë e Kosovës.

“Të gjithë jemi të interesuar që mjetet të kthehen dhe të investohen në Kosovë. Takimet me ICO-në janë të përditshme në mënyrë që të gjejmë forma për kthim apo investim të këtyre parave në vend”, tha ministri Shala.

Sipas tij, këto mjete janë investuar jashtë vendit në bazë të pakos së Ahtisaarit. Megjithatë, ai tha se është duke u punuar për hartimin e legjislacionit dhe me Bankën Qendrore të Kosovës që të mundësohet kthimi i mjeteve dhe të investohen në ekonominë e Kosovës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›