E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: Do të bindim komunitetet fetare për ndërtimin e varrezave murale



Burime pranë bashkisë theksojnë se janë në bisedime me komunitetet fetare për të marrë edhe miratimin për ndërtimin e varrezave murale

Ndërtimi i varrezave murale deri më tani është akoma në fazën e projekt-idesë dhe diskutimeve. Por jo të gjitha palët përfshirëse janë dakord. Projekti i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e varrezave murale në Shqipëri ka hasur në rezistencën e komuniteteve fetare. E megjithatë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, është shprehur për “Standard” se “jemi në komunikim të vazhdueshëm me komunitetet fetare që në parim kanë qenë dakord dhe po presim një përgjigje nga komunitetet e tjera fetare, myslimane dhe bektashinj”.

Bashkia

Më shumë se projekt, varrezat murale duket se është zgjidhja më imediate e menduar nga bashkia. Varrezat tradicionale që jemi mësuar t’i kemi në vendin tonë, kanë zënë hapësira toke të mëdha çfarë ka shkaktuar mungesë të theksuar të tokës. Ndaj dhe përveç varrezave normale që janë aktualisht mësohet se bashkia synon të ndërtojë për herë të parë varrezat murale në Shqipëri. “Në këtë kontekst kemi një ndërthurje të aspektit fetar, para të cilit ne kemi qenë shumë të ndjeshëm dhe kemi marrë një sërë kontaktesh me të gjitha komunitetet fetare, respektivisht katolik, ortodoks, mysliman dhe bektashinj. Kemi gjetur mirëkuptimin e tyre, pasi kemi shpjeguar se pse ky projekt ka ardhur si domosdoshmëri. Janë dy elemente kryesore. Së pari, Evropa drejt së cilës ne synojmë të shkojmë, i ka prezantuar prej kohësh varrezat murale dhe së dyti, është një domosdoshmëri e kushtëzuar nga mungesa e tokës në dispozicion”.

Nga ana tjetër, projektimi i varrezave murale po vazhdon. Projektuesit kanë marrë disa modele nga Italia apo edhe vende të tjera të zhvilluara duke shpresuar që të bëhet realitet në një të ardhme të afërt. Mësohet se ky projekt vështirë të realizohet brenda këtij viti pasi janë një sërë elementesh dhe një sërë hapash procedurale që duhet të ndiqen.

Për këtë, burime pranë bashkisë theksojnë se deri më tani është përvijuar koncept-ideja dhe se tani po punohet me një plan të detajuar. “Aspekti i varrezave murale ndërthur në vetvete disa procese, të cilat pa u sqaruar dhe përcaktuar qartë nuk mund të përmbushen. Jemi pikërisht në fazën e detajimit të të gjitha elementeve për të bërë një projekt të plotë”, - u shpreh nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi.

Fillimisht mendohet të fillohet me varrezat e Sharrës dhe pastaj me Tufinën. “Mund të provojmë edhe një metodë e cila ka rezultuar e suksesshme që është ajo e ndërtimit të një segmenti, në mënyrë që komuniteti të njihet me mënyrën se si është e organizuar ky tip varreze”.

Për ndërtimin e varreve murale Bashkia e Tiranës ka vendosur kontakte të vazhdueshme me ekspertë, por edhe me ndërmarrjet funerale të vendeve fqinje për t’u njohur me shumë detaje lidhur me mënyrën se si do të zhvillohet ky projekt. Ndërkohë, z. Shalsi thekson: “Ka disa modele. Ne do të përqendrohemi tek ai që është jo thjesht një importim modeli sesa një adaptim modeli”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›