Shaqiri, i pashitshëm për Baselin

Xherdan Shaqiri konsiderohet i pashitshëm nga udhëheqësit e Baselit. Futbollisti kosovar ka kontratë deri në vitin 2014 me kampionin zviceran dhe ekipi helvetik nuk e ka ndërmend të heq dorë nga ylli i ri.
Në orët e fundit flitej për një interesim të Palermos për shërbimet e 19 vjeçarit. Sipas mediave italiane, klubi Rosanero e ka vëzhguar përfaqësuesin zviceran në miqësoren e fundit të Baselit me Dortmund.
“Në të gjitha ndeshjet tona vijnë skautë të ndryshëm nga të gjitha pjesët e botës për ta parë lojtarin. Sinqerisht nuk e di nëse ka qenë në këtë ndeshje ndonjë vëzhgues nga Palermo. E njohim klubin Rosanero pas transferimit atje të Morganellas dhe raportet me këtë klub janë të shkëlqyeshme. Por, ne nuk kemi kontaktuar me ta asnjëherë për këtë punë. Djaloshi ka kontratë me ne deri në vitin 2014 dhe nuk jemi të interesuar ta shesim”, theksoi drejtori sportiv i Baselit, Georg Heitz për uebfaqen italiane, mediagol.it.
Ai e ka lavdëruar edhe mesfushorin tjetër shqiptar, Pajtim Kasami, i cili luan pikërisht në Palermo, ku u transferua gjatë verës që shkoi nga Bellinzona. “Pajtimi është një lojtar mjaft i talentuar. E kisha mundësinë ta shihja duke luajtur disa herë në Bellinzona dhe nuk kam dyshim se ai është një lojtar që mund të luajë në Serie A. Për këtë, jam i bindur se mund ta demonstrojë vlerën e tij edhe në një kampionat të vështirë si ai italian”, përfundoi Heitz.