Shaqiri, në dyshim për titullar

Mediat gjermane dhe ato zvicerane vazhdojnë ta monitorojnë çdo hap të përforcimit të ri të Bayern Munichut, Xherdan Shaqirit. Mesfushori kosovar, i cili gjatë kësaj vere e kompletoi transferimin e tij nga Baseli te gjiganti gjerman, po vazhdon të paraqitet mirë me skuadrën e tij të re në fazën përgatitore për sezonin e ri.
Madje, së fundmi Shaqiri e ka shënuar edhe golin e parë për Bayernin, e cila në një ndeshje kontrolluese fitoi ndaj Ismaningut me rezultat bindës, 4:0.
Por, pavarësisht këtyre paraqitjeve të mira në këtë fazë përgatitore, mediat gjermane vazhdojnë ta shprehin dyshimin nëse Shaqiri do të zërë vend në ‘njëmbëdhjetëshin’ e parë të Bayernit, për shkaku të konkurrencës së fortë.
“Mbetet e hapur nëse loja e tij mjafton për ‘njëmbëdhjetëshin’ e parë”, ka shkruar tabloidi i njohur gjerman, Bild.
Megjithatë, ky tabloidi ka shkruar se Shaqiri i ka edhe disa javë të tjera në dispozicion për ta bindur trajnerin e tij që ta përfshijë në ‘njëmbëdhjetëshin’ e parë të Bayernit.