E Diel, 1 Nëntor 2026

Sharjet dhe fyerjet mes deputeteve refreni i seancave plenare

Të dhënat Sipas raportit “Unë Votoj”, një pjesë e mirë e parlamentarëve kanë shkelur nenin 62

Një nga shkeljet më të shpeshta që rezulton nga zhvillimi i seancave parlamentare prek nenin 62, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, me titull Rregulli dhe Sjellja në Kuvend dhe përmbajtje: Anëtarët e Kuvendit nuk duhet të ndërpresin fjalën e drejtuesit të seancës plenare ose të diskutuesve të tjerë, të përdorin gjuhë ofenduese dhe jo parlamentare në Kuvend, të ndërmarrin sulme personale apo veprime ndaj ndonjë deputeti, të përhapin informacione që cenojnë jetën private të cilitdo, të sillen në mënyrë të padenjë ose të shkaktojnë rrëmujë në mjediset e Kuvendit. Rastet konkrete të shkeljes së rregullave etike në Kuvendin e Shqipërisë janë: Seanca parlamentare e datës 23.12.2009, ku dy deputetët Dashamir Tahiri i PDU-së dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së, u përfshinë në replika të forta dhe fyerje midis tyre. Gjatë këtyre replikave, deputeti Dashamir Tahiri është ngritur i revoltuar nga karrigia e tij, duke tentuar konfrontimin fizik me deputetin Dule. Seanca parlamentare e datës 15.04.2010, gjatë së cilës deputeti Lefter Maliqi ka përdorur gjuhë ofenduese kundrejt përfaqësuesve të opozitës. Mbledhja e byrosë nuk mori asnjë masë disiplinore ndaj deputetit Maliqi, me gjithë kompetencën që i jep pika 5 e nenit 11 të Rregullores së Kuvendit. Seanca parlamentare e datës 24.05.2010, gjatë fjalës së deputetit Gent Strazimiri, i cili deklaroi se “dokumenti i marrëveshjes së Strasburgut nuk duhet të jetë si mesazhet që i çoheshin familjarëve nga tendat e grevës”. Shprehje kjo që provokoi konflikt mes tij dhe deputetit opozitar Tom Doshi, i cili u drejtua drejt foltores duke fyer rëndë z. Strazimiri. Konflikti më pas degjeneroi në fyerje personale mes dy deputetëve. Kryetarja e Kuvendit u detyrua të ndërpresë seancën për rreth 30 minuta. Seanca parlamentare e datës 24.06.2010, gjatë të cilës deputeti Edi Paloka shprehet se “ ..urimi i Ramës pasi komisioni kishte marrë vendimin është si puna e vendosjes së prezervativit mbasi ke bërë seks”. Këtij ofendimi i përgjigjet deputeti Dokle gjatë fjalës së tij, po me të njëjtën gjuhë “Paloka, me diskutimin tënd u bëre kondom për Kryeministrin”. Gjatë këtyre dy sesioneve parlamentare, është vërejtur shkelje e nenit 45 të Rregullores së Kuvendit, një përcaktim procedural që saktëson se “Para fillimit të rendit të ditës çdo deputet mund të diskutojë për çështje të ndryshme që ai i konsideron se duhen bërë publike në seancë plenare. Në këtë rast deputeti nuk mund të flasë më shumë se 5 minuta...”. Duke u bazuar në këtë nen, drejtuesja e seancës Jozefina Topalli, në seancën e datës 08.04.2010, ka ndërprerë fjalën e deputetit Saimir Tahiri dy minuta përpara kohës së parashikuar në nenin e mësipërm. Një tjetër veprim në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit është ai i bisedave me telefona celularë gjatë zhvillimit të seancave dhe komisioneve parlamentare. Sipas nenit 67 për paraqitjen në seancë plenare dhe në komisione, përcaktohet shprehimisht: “Deputetët, gjatë zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve dhe seancës plenare, paraqiten me veshje zyrtare dhe nuk duhet të përdorin telefonat e lëvizshëm”. Nga monitorimi i seancave plenare, si dhe i mbledhjeve të komisioneve, ky nen i Rregullores së Kuvendit është shkelur rregullisht nga të gjithë deputetët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›