Haxhinasto Negociatat e reja me Greqine me lejen e Presidentit
Rikthehet marrëveshja e re për ujërat detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Konfirmimi ka ardhur në vigjilje të Krishtlindjeve si “dhuratë” për palën greke, nga ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Diplomacia shqiptare ka theksuar dje se në rinegocimin e marrëveshjes së re të ujërave detarë, institucioni i Presidentit nuk do të shmanget. Për të argumentuar këtë fakt, ministri i Jashtëm, Haxhinasto, ka rikujtuar rastin e mëparshëm kur kreu i shtetit nuk ishte i përfshirë në marrëveshjen e parë e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së opozitës. Ministri Haxhinasto deklaron se në këtë marrëveshje do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, madje sipas tij, do të jetë pikë reference e marrëveshjes së re që po diskutohet mes Shqipërisë e Greqisë. “Me palën greke kemi diskutuar të gjithë hapësirën dhe mundësitë e avancimit për ta konkluduar këtë marrëveshje. Në asnjë mënyrë nuk do të shmanget asnjë institucion, aq më tepër Presidenti i Republikës. Vendimi i gjykatës është pika jonë e referencës, ashtu si dhe Kushtetuta e Shqipërisë për të vazhduar më tej në konkludimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Haxhinasto. Por pavarësisht lajmit se marrëveshja e re do të risillet në qendër të vëmendjes së opinionit publik, ministri Haxhinasto nuk ka një datë konkrete se kur do të rinisë shqyrtimi i saj. Në marrëveshjen e re për ujërat detare që Shqipëria dhe Greqia po rinegociojnë, është premtuar se nuk do të shmanget institucioni i Presidentit ashtu sikundërse ndodhi me marrëveshjen e parë e rrëzuar kjo nga gjykata kushtetuese.
Incidenti me flamurinHaxhinasto ka komentuar edhe incidentin e djegies së flamurit shqiptar nga tifozët maqedonas, gjatë një ndeshje basketbolli. Edhe pse e quajti një akt të papranueshëm, të organizuar nga persona të papërgjegjshëm, Haxhinasto tha se ky incident, nuk cenon marrëdhëniet mes dy shteteve. “Sigurisht, këta nuk përfaqësojnë ndjenjën qytetare të maqedonasve dhe me provokimet e tyre nuk mund të ndikojnë aspak në marrëdhëniet shumë të mira që Republika e Shqipërisë ka me Maqedoninë. Sigurisht, janë ngjarje të dënueshme, të cilat nuk duhet të ndodhin”, theksoi më tej Haxhinasto.