Shkeljet e Rregullores se Kuvendit deputetet qe kane votuar per shokun
Jo vetëm një herë, por në 20 raste është shkelur Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2010. Dokumenti bazë i funksionimit të legjislativit, sipas raportit “Unë Votoj”, që është hartuar nga lëvizja “Mjaft”, për periudhën shtator 2009- korrik 2010, Partia Demokratike ka realizuar në Kuvend vetëm 9.8% të nismave ligjore të premtuara për elektoratin në fushatë.
Ndërkaq, sipas raportit të “Mjaft”, LSI ka arritur të realizojë vetëm 7.7% të premtimeve elektorale, nëpërmjet aktivitetit që ka ushtruar në Kuvend. Grupi kuvendor socialist ka mundur të realizojë veçse 1.4% të premtimeve të veta elektorale, për shkak të bojkotit parlamentar. Në raportin e “Mjaft” evidentohen 16 nisma ligjore të miratuara në dhunim të nenit 57 të rregullores, që duhet të ishin shpallur të pavlefshme. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, nuk kanë munguar rastet e shkeljes së nenit 62 të Rregullores, sa i takon respektimit të etikës parlamentare.
RregullorjaSeancat Plenare të zhvilluara në Kuvendin e Shqipërisë gjatë sesionit të parë dhe të dytë të legjislaturës XVIII, janë karakterizuar nga shkelje të rënda të Rregullores së Kuvendit. Këto shkelje variojnë nga votimi i nismave ligjore në vend të kolegut, në kalimin e nismave ligjore në mungesë të kuorumit të nevojshëm, prezencë fiktive të deputetëve në mbledhjet e komisioneve parlamentare, shkelje procedurale, shkelje të Kodit Etik të deputetit etj. Një nga shkeljet që është përsëritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtij sesioni ka qenë votimi i çështjeve ligjore për kolegun. Po t’i referohemi nenit 57 mbi votimin në seancat parlamentare, pikës 1 dhe 2, përcaktohet se: “Votimi është vetjak. E drejta e votës nuk delegohet”. Pra, të gjitha nismat ligjore të votuara në kushtet e shkeljes së kësaj procedure, bien ndesh me nenin e sipërpërmendur dhe po sipas Rregullores së Kuvendit duhen të merren masa disiplinore ndaj deputetëve. Në kushtet e dhunimit të këtij neni të Rregullores së Kuvendit, nga monitorimi rezulton se gjatë dy sesioneve parlamentare janë miratuar në mënyrë të parregullt 16 nisma ligjore, të cilat nuk mund të marrin fuqi ligjore, por duhet të rikthehen përsëri për votim në Parlament. Disa nga rastet që evidentojnë dhunimin e pikës 1 dhe 2 të nenit 57 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë janë: Në seancën plenare të datës 05.11.2009, deputeti Nasip Naço ka votuar për kolegun dy projektligje, projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8537, datë 18.10.1999 ‘Për barrët siguruese’ të ndryshuar”, si dhe projektligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin”. Në seancën plenare të datës 03.12.2009, deputeti Kreshnik Cipi ka votuar për kolegun e papranishëm projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës për bashkëpunimin në luftën kundër krimit, veçanërisht terrorizmit, trafikimet e paligjshme të drogave dhe krimit të organizuar”, projektligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, si dhe projektligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”. Në seancën plenare të datës 17.12.2009, deputetja Rajmonda Bulku ka votuar për kolegun gjatë procesit të votimit të projektligjit “Për ratifikimin e Protokollit 2 shtesë ‘Për përkufizimin e konceptit ‘Produkte origjinuese dhe metodat e bashkëpunimit ekonomik’”, që zëvendëson protokollin me të njëjtin numër, të marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë”. Po në datën 17.12.2009, deputetët Gerti Bogdani dhe Dashamir Tahiri kanë votuar për kolegët respektivë katër projektligje: Projektligji “Për ratifikimin e Protokollit 2 shtesë ‘Për përkufizimin e konceptit ‘Produkte origjinuese dhe metodat e bashkëpunimit ekonomik’, që zëvendëson protokollin 40 me të njëjtin numër, të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë”, Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10033, datë 11.12.2008, ‘Për lojërat e fatit’ të ndryshuar”, Projektligji “Për regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike bujqësore”, dhe projektligji “Për regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike jobujqësore”. Në seancën plenare të datës 11.03.2010, deputetja Paulina Hoti ka votuar për kolegun gjatë votimit të pesë projektligjeve. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë dhe projektit ndërmjet Republikës së Shqipërisë të përfaqësuar nga Ministria e Financave e operatorit të sistemit të transmetimit sha, si agjencia e zbatimit të projektit dhe KFW Frankfurt AM Main, për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 KV Shqipëri - Kosovë (Tiranë –Prishtinë), nëpërmjet një huaje prej 42,000,000 eurosh”; projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë dhe projektit ndërmjet Republikës së Shqipërisë të përfaqësuar nga Ministria e Financave e operatorit të sistemit të transmetimit sha, si agjencia e zbatimit të projektit dhe KFW Frankfurt AM Main, për financimin e projektit ‘Linja unazore 110 KV e Shqipërisë së Jugut’, nëpërmjet një huaje prej 37.750.000 eurosh”.