Skenderaj me më pak se 50 mijë banorë?

Ndonëse Komisioni komunal për regjistrim ende nuk ka dalë me të dhëna, me arsyetimin se të dhënat preliminare mund t’i bëj publike vetëm Enti i Statistikave të Kosovës, Komuna e Skenderajt, sipas shënimeve jozyrtare nga regjistrimi i porsa përfunduar, nuk ka as 50 mijë banorë rezidentë.
Kryetari i Komisionit komunal për regjistrim, Fadil Nura, ka thënë se shifrat e sakta mund t’i publikojë vetëm Enti i Statistikave të Kosovës kah fundi i qershorit. Mirëpo, burime brenda komisionit kanë pohuar se nuk do të kalohet shifra prej 50 mijë banorëve.
Këto shifra janë të pabesueshme për shumicën e banorëve të këtushëm, dhe për këtë ata fajësojnë kriteret e procesit të regjistrimit, sipas të cilave nuk janë regjistruar asnjë nga qytetarët të cilët jetojnë me vite jashtë Kosovës.
Veli Salihu nga Tica, këtë e ka quajtur padrejtësi të madhe dhe nënçmim i njerëzve tanë.
“Unë i kam jashtë 2 djem e 4 vajza dhe tanë i kanë nga 3-4 fëmijë e ata nuk janë regjistruar, dhe me dije qoftë se dalim pak. Kjo jo qe nuk është e drejtë por është edhe nënçmim e gjynah ndaj njerëzve qe po na mbajnë gjallë me djersën e vet”, ka thënë ai i revoltuar.
Procesin e regjistrimit e kanë injoruar masovisht edhe serbët e kësaj komune. Përkundër pohimeve të zyrtarëve komunal se qytetarët serbë të kësaj komune janë regjistruar pjesërisht, burime të Agjencisë tregojnë se nuk janë regjistruar as 10 për qind e tyre.
“Prej rreth 350 serbëve sa jetojnë në fshatrat Syriganë e Bajë, janë regjistruar vetëm 12-13 familje serbe”, ka deklaruar burimi.
Ndryshe, shifrat janë dekurajuese edhe nëse krahasohen me regjistrimet qe janë bërë para 30, përkatësisht 20 vitesh.
Sipas statistikave nga regjistrimi i vitit 1981, i cili ishte bërë nga institucionet legjitime të Kosovës, Komuna e Skenderajt ka pasur mbi 46 mijë banorë.
Ndërsa, sipas shifrave të regjistrimit të vitit 1991, të cilin e ka bërë administrata serbe pa pjesëmarrjen e shqiptarëve, ishte thënë se komuna ka mbi 58 mijë banorë, prej të cilëve mbi 99 për qind janë shqiptarë. (KosovaPress)