Shefi i UNMIK-ut Zannier sot në Beograd

Shefi i UNMIK-ut, Laberto Zannier do të qëndrojë sot për një vizitë në Beograd, ku do të takohet me zyrtarët më të lartë të shtetit serb. Siç bëjnë të ditur mediat serbe, në takim do të bisedohet për vendosjen e planit gjashtëpikësh, ndërsa zyrtarë të UNMIK-ut kanë thënë se ky plan do të jetë vetëm një nga temat e bisedimeve mes Zannierit dhe Beogradit zyrtar.
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Russel Geekie ka deklaruar se zbatimi i planit gjashtëpikësh do të jetë vetëm një nga temat e shumta që do të zhvillohen mes Zannierit dhe zyrtarëve më të lartë serbë. Sipas tij, vizita e Zannierit në Beograd është pjesë e përgatitjeve të tij për mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, që do të mbahet në fillim të muajit mars.