E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtarja austriake shkruan poezi në shqipe



Visar ZHITI

Një befasi e bukur, një shkrimtare e re austriake shkruan poezi në gjuhën shqipe.
Është Andra Grill, autore e disa librave në prozë.
Libri i saj i parë me tregime, “Album familjar”, e çoi te romani i parë. Ndërkohë, botimi i saj më i fundit, “Lotët, buzëqeshje”, i pritur mirë nga kritika austriake, po përkthehet edhe në gjuhën shqipe. Jo vetëm pse protagonisti i veprës është një shqiptar i ikur, që ëndërron një pasaportë austrike, me të cilën mund të lëvizë kudo dhe, me ta marrë atë, e caktojnë të shërbejë të ruajë kufirin austriak, për paradoks pikërisht atje ku kaloi vetë.
Andrea Grill thotë se e do Shqipërinë dhe shqiptarët. Që e vogël, i ati i saj kishte një libër për Shqipërinë që e bëri atë të ëndërrojë. Dhe vërtet, kur ishte 17 vjeçe, aty nga viti 1992-1993 erdhi me traget në Durrës, kreu “antieksodin” e saj. Pastaj nisi të vijë më shpesh, çdo vit deri më 1997. Dhe e njeh vendin tonë, “ndoshta më mirë se Austrinë”, thotë vetë. “Vendlindja ime mes malesh, ngjan me Krujën”, shton. Dhe mësoi gjuhën tonë, të cilën e flet mjaft bukur, lexon letërsi shqipe.
Të hysh në gjuhën e një populli tjetër, ke hyrë dhe në shpirtin e tij, në ato mistere që arti mundohet t’i shpjegojë.
Andrea më thotë se nuk e di pse ndjeu nevojën të shkruajë poezi shqip. Vërtet, ç’e thirri? Ajo është biologe dhe ka kryer masterin për “Fluturat e Sardenjës”, mos këtu është diçka nga e fshehta, që natyra na ndjell s’dihet si e qysh, tek ato rrënjë të përbashkëta të njeriut? Apo njeriu ka diçka më superiore dhe të shenjtë, që ia jep natyrës kudo dhe ka aq të papritura në zbrazjen e saj?
Sidoqoftë, në veprën e Andrea Grill ka forcë blerimesh të brendshme, flatra delikate fluturash, ato ngjyra që pikëzohen në krijimtarinë e saj, por edhe në poezitë e shkruar në gjuhën tonë.

10 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›