Shehi. PD të ndalojë presioninLZHK ndërron emër
19/05/2005 Kryetari i Shtabit Elektoral të LZHK-së, Dashamir Shehi, tha dje se akuzat e kreut democrat, Sali Berisha, në adresë të kësaj lëvizje rrezikojnë marrëveshjen paszgjedhore mes dy forcave të djathta. Sipas tij, LZHK është e vetmja forcë e qendrës së djathtë në Shqipëri. “Kjo është një marri dashakeqe ndaj të vetmes forcë të qendrës së djathtë në Shqipëri, LZHK-së. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, i bën thirrje PD-së të ndalë diversionin dhe shpifjet ndaj kësaj lëvizje, sepse kjo gjë mund të bëhet shkak për vështirësimin e aleancave paszgjedhore“, tha Shehi. Ndërkohë, kryetari i shtabit elektoral tha dje se 100 kandidatët e kësaj lëvizje do të konkurrojnë nën siglën “LZHK Leka Zogu I”. Ky ndryshim, i cili pritet të zyrtarizohet në fletën e votimit, është bërë për të saktësuar gjatë procesit zgjedhor, ndërkohë që të njëtën sigël do ta mbajë edhe gjatë fushatës elektorale. Sipas Shehit, përzgjedhja e kandidatëve për deputetë do të bëhet me listë hapur. LZHK ka miratuar edhe programin elektoral, si dhe ka ngritur prej kohësh shtabin e fushatës. Leka I nuk do të kandidojë në ndonjë zonë elektorale, ndërsa zyrtarë të tjerë të lëvizjes do të kenë zona elektorale. LZHK është një lëvizje e krijuar nga grupimi i partive ish-aleate të PD, të cilat vendosën të dalin më vete në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke u grupuar nën drejtimin e Leka Zogut. Negociatat e fundit me Partinë Demokratike nuk sollën asgjë të re në kampin opozitar. Demokratët që në fillim e kanë parë LZHK-në si një fraksion që përpiqet të ndajë elektoratin e së djathtës. Nga ana e tyre partitë e grupuara në këtë lëvizje shpresojnë që të marrin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare votat që mori Leka Zogu në votimin e vitit 1997 për Monarkinë. Kjo është dhe arsyeja që LZHK i ka shtuar siglës së saj edhe emrin e pretendentit për fron.