Vetëvrasja e fëmijës, policia e Korçës gjobitet 45 mln lekë
Fatos Mahmutaj
Vdekja e adoleshentit korçar Amarildo Përfundi, pas presionit policor në qelitë e Komisariatit të Korçës do t'i kushtojë 45 milionë lekë dëmshpërblim Drejtorisë së Policisë së këtij qyteti. Avokati Genci Terpo, përfaqësues ligjor i Grupit Shqiptar së të Drejtave të Njeriut, i cili mbrojti para togave të zeza të Korçës kërkesë-padinë e bërë nga dy prindërit e 17-vjeçarit Përfundi pohon se, ky ishte përfundimi i procesit që u zhvillua në Gjykatën Korçës. Sipas avokat Terpos padia e Ylli dhe Barjeta Përfundit që përfundoi së shqyrtuari në Gjykatën e Korçës, pak ditë më parë, kishte palë të paditur Drejtorinë e Policisë së Korçës dhe objekt: "Shpërblim dëmi në masën 100 milionë lekë të vjetra, si rezultat i vdekjes së të ndjerit Amarildo Përfundi prej veprimeve të paligjshme të punonjësve të policisë të këtij Qarku". GSHDNJ pohoi dje se Amarildo Përfundi vari veten më 17 qershor të vitit 2006 pranë shtëpisë së tij. Ai ishte shoqëruar në policinë vendore më 14 qershor, si i dyshuar për vjedhjen e një dyqani në fshatin e tij Pirg. Pas disa orësh është lënë i lirë, por i është kërkuar të paraqitej në orën 09:00 të 17 qershorit, për t'u marrë sërish në pyetje. "I tronditur prej dhunës fizike dhe psikologjike që pësoi pas shoqërimit policor, Amarildo u detyrua t'i jepte fund jetës", ka konstatuar GSHDNJ-ja, duke vazhduar më tej se kjo ngjarje është një fakt i njohur botërisht, gjë që u pasqyrua edhe në shtypin e kohës, për gati një muaj me radhë. Në një deklaratë për shtyp të GSHDNJ-së pohohet se, u desh investigimi i Zyrës së Avokatit të Popullit, Grupit Shqiptar së të Drejtave të Njeriut dhe i disa organizatave joqeveritare, që operojnë në fushën e të drejtave të njeriut në Shqipëri si dhe e organizatave me karakter ndërkombëtar si Amnesty International, të cilat bënë të munduar zbulimin e të gjitha rrethanave konkrete, që çuan në vetëvarjen e Përfundit dhe kërkuan me anë të rekomandimeve dhe deklaratave publike fillimin e procedimit penal dhe penalizimin e autorëve, që e detyruan adoleshentin të vetëvarej. "Mbi këtë bazë u iniciua më pas edhe padia civile e prindërve të Përfundit, e cila për karakterin që kishte përbënte një precedent të veçantë, duke qenë se rastet e kësaj natyre janë gjykuar rrallë nga gjykatat shqiptare", thuhet në deklaratën e GSHDNJ-së. Avokati Trepo pohon se dy ishin momentet e përgjegjësisë së Policisë së Korçës si palë e paditur në këtë proces: përgjegjësia për punësimin e personave të papërgjegjshëm apo edhe të paaftë për të zbatuar detyrimet ligjore të cilët me veprimet e tyre personale kanë shkaktuar dëmin në fjalë dhe përgjegjësia për mosushtrim kontrolli institucional ndaj tyre. Duke analizuar vendimin e gjykatës Terpo përfundoi duke theksuar se, Policia e Korçës në këtë rast kishte përgjegjësi të dëmshpërblejnë paditësit, pasi me veprimet e paligjshme të punonjësve të saj ka ardhur pasoja e vdekjes së të ndjerit Përfundi dhe kjo ka sjellë njëkohësisht, dhe dëmtime në kuadrin fizik apo psikologjik të paditësve si edhe veçanërisht në aspektin pasuror të tyre.
Çështja "Përfundi"
GSHDNJ pohoi dje se praktika e vendosur nga Gjykata e Korçës për çështjen "Përfundi" përbën një shembull të mirë, për të ardhmen e drejtësisë shqiptare, për të gjykuar dhe vendosur mbi frymën e ligjit. Ndërsa, duke komentuar vendimin e Gjykatës së Korçës, avokati i GSHDNJ-së pohoi se, ky vendim ofron risi ligjore për analizimin e dëmit, që sjell kryerja e veprimeve arbitrare të punonjësve që ushtrojnë funksione publike.
Dy vjet burg policit përgjegjës
Vetëvrasja e 17-vjeçarit Amarildo Përfundi në fshatin Pirg të Korçës, si pasojë e presionit psikologjik të policisë së qytetit të tij, solli një vit më vonën dënimin me dy vite burg të oficerit të policisë B. Mullai, i akuzuar për dështim në ndjekjen e procedurave korrekte në lidhje me vetëvrasjen e adoleshentit. Oficeri i policisë u gjet fajtor nga togat e zeza, për abuzim të detyrës. Duke argumentuar dënimin gjykata pohoi se Përfundi vrau veten, pasi u ndalua dhe u mor në pyetje nga Mullai, i cili kishte ushtruar presion psikologjik mbi adoleshentin që kishte karakter emocional. Sipas gjykatës, për më tepër oficeri i policisë e kishte marrë në pyetje të miturin pa praninë e mbrojtësit, ndërsa nuk kishte ndërprerë presionin në asnjë çast.