E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembulli i Jozefit dhe kriza ekonomike globale



Bota ekonomike dhe politike e kësaj epoke që kemi hyrë po përplaset me ekzistencën e saj e cila normalisht ka të bëjë edhe me qëndrueshmërinë e një sistemi masash të gjera dhe të thella që përfshin të gjitha sferat e jetës së kombeve dhe popujve. Askush nuk kishte menduar se në shekullin XXI bota do gjunjëzohej ndaj pamundësive, rënies së ndërgjegjes së plotë të saj si dhe humbjes së moralit të saj. Pozita ekonomike përcakton vetëm atë ekzistencial, por jo edhe atë morale, sepse kur ekzistenca është e ngopur dhe kur ajo qëndron në krenarinë e saj, ajo nuk njeh më rrezik tjetër përveç rrezikut të dhjamosjes nga ajo lakmi e zjarrtë e quajtur “pasioni i tmerrshëm e i vazhdueshëm i parasë dhe pasurisë”. Rënia e moralit politik sjell si rezultat krizën e progresit ekzistencial, ekonomik, social, politik etj. Në këtë kontekst edhe masa e cila kishte besim më parë në progresin e arritjeve të mëdha, do të mund të zhgënjehej më pas duke parë se si po i binte boja asaj ngjyre të quajtur epokë përtej modernes dhe përtej arsyes.

Askush nuk është kundër zhvillimeve normale moderne, sepse dihet se ekonomia është promotor i zhvillimeve në të gjitha nivelet e kombeve dhe i mbarë botës, por nuk është gjithçka ajo që quhet “ekonomike-materiale”, po ashtu askush nuk është i çmendur që të vendos fatin e tij vetëm te pasuria sepse kjo do të kishte konsekuenca të pariparueshme në qoftë se ajo nuk është e begatshme dhe e qëndrueshme. Ikja e arsyes dhe rënia e moralit na kujton atë kohë kur pak para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, botën e kishte përfshirë së pari një krizë e moralit dhe ndërgjegjes, pastaj një largim i paparë nga arsyeja si dhe një krenari e tmerrshme ndaj vetvetes dhe zhvillimeve të armëve të zhdukjes së qenies njerëzore (bomba atomike). Këto erëra dhe këto hije të zeza që po i vinin njerëzimit burimin e kishin nga vetë njeriu-ekonomik, kjo rënia e arsyes pastaj kjo humbje e moralit politik e njerëzor, zbulimi i armëve të zhdukjes në masë çoi kryekëput në fillimin e luftërave të mëparshme apo më saktësisht Luftës së Dytë Botërore, pastaj Luftës së Ftohtë që është shndërruar në një luftë të pragut të nxehtë në mes dy botëve. Të gjitha këto burimin e kanë nga vetë njeriu dhe të gjitha këto janë një aksident tragjik i cili jo vetëm tregon se njeriu është bërë një bishë e zezë që po përçmon qenien dhe ekzistencën e tij, por edhe një lider i verbër dhe i pashpjegueshëm historik.

Paramendoni tani se si njeriu është bërë armiku më i madh i vetvetes, paramendoni se si shumë popuj të lindjes të cilët janë demonizuar vetëm e vetëm pse demokracia po ia zgjidh zinxhirët e robërisë dhe po i zhvesh nga ai petk i tmerrshëm i së kaluarës. Të gjitha këto ngjarje jo vetëm që janë përzier pak me vrer e pak me ëmbëlsira të cilat jo vetëm që e kanë shkaktuar një thartinë botërore, por edhe largim të qartë nga rruga e arsyes dhe së vërtetës. Të gjithë ata që mendojnë t’ia hedhin fajin e krizës ekonomike globale SHBA-së janë njerëzit më të verbër dhe më të çmendur në botë, sepse edhe më herët të gjithë kishin menduar se dikush tjetër po e përziente vrerin e proceseve të zhvillimeve të përgjithshme para dhe gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, por ata nuk kishin menduar se bota e sotme që nga ngritja e popujve që kanë në nënshtresën e tyre ideologjinë e shkatërrimit, pastaj doktrina të tmerrshme po e sillte në një mënyrë apo tjetër krizën e këtij shekulli. Ndërkaq, askush më parë nuk kishte paralajmëruar se botës do i vinte kjo lëkundje e madhe në themelet e saj të zhvillimeve dhe të progresit të saj të madh, bota nuk kishte njeri të thirrur e as të zgjedhur që t’i hapte sytë liderëve të verbër që udhëheqin kombe dhe popuj për t’ia treguar se ëndrra që kishin parë në lidhje me krizën ekonomike i ngjan ëndrrës së Faraonit që kishte parë dhe kërkonte njeri për t’ia shpjeguar.

Më duhet të ndalem në këtë histori interesante e cila figuron para lindjes së Krishtit, sepse pikërisht kjo histori e ndodhur më parë na tregon një ngjashmëri të së sotshmes dhe dihet se ngjarjet e tilla të së djeshmes së largët janë mbikohore për të sotmen, prandaj edhe duhet ndalur për të shpjeguar mënyrën e daljes nga gjendja e kësaj kriza globale. Kështu që në atë kohë Faraoni kishte parë një ëndërr të tmerrshme dhe ishte frikuar prej saj, ëndrra e tij kishte të bënte me krizën ekonomike që po i binte mbi supe atij dhe vendit të tij. Faraoni kishte parë në ëndrrën e tij këto ngjarje që për të ishin të pashpjegueshme, pra ai kishte parë shtatë kallinj të trashë e të bukur dhe shtatë kallinj të hollë e të fryrë nga era lindore të cilët gëlltitnin kallinjtë e trashë e të bukur, si dhe shtatë lopë të majme e të hijshme dhe shtatë lopë të dobëta e të shëmtuara, të cilat gëlltitnin lopët e hijshme e të majme. Trazimi që përshkoi ndërgjegjen dhe shpirtin e Faraonit ishte skajshmërisht i madh nga kjo ëndërr trazuese e ndërgjegjes dhe moralit, ai kërkoi që të shpjegohej kjo gjendje që po priste bota, duke ftuar rreth tij një mori njerëzish të ditur duke u nisur nga magjistarët e deri tek njerëzit e shkolluar apo filozofë të asaj kohe, por asnjë nga këta nuk arriti t’i jepte një interpretim sqarues apo një parashikim se çfarë mund ta priste botën.

Pas kësaj ai kishte dëgjuar për një njeri që kishte burgosur dhe i cili kishte dhunti të mëdha diturie e njohurie për të interpeluar dhe shpjeguar qartë gjendjen e mëpastajme, ai njeri quhej Jozef. Kështu Faraoni e thirri atë dhe ai i sqaroi se ç’e po priste botën duke i treguar në mënyrë të qartë Faraonit se po vijnë shtatë vite bollëk dhe të gjitha të mirat në tërë vendin, por pas kësaj do vijnë shtatë vite zie të tmerrshme për tërë vendin duke harruar kështu se çfarë kishte ndërtuar deri në atë kohë bota me gjithë bollëkun e saj ekonomik. Pas kësaj Faraoni vë mëkëmbës të tij Jozefin. Gjatë kësaj kohe të Jozefit si mëkëmbës, kriza nuk u ndie në atë vend, ndërsa vendet e tjera i kishte kapluar mjerimi ekonomik saqë u detyruan të shkonin të blinin tek Jozefi që kishte shpëtuar nga kriza ekonomike atë vend që administrohej nga Faraoni. Dhe krejt në fund, duke mos shkuar më tutje, shembulli i Jozefit është një mësim i qartë i shpjegimit të së ardhmes së kësaj krize që po e dëmton botën ekonomikisht. Prandaj duhen të kërkojnë liderët (faraonët) botërorë të kombeve e popujve njerëz të ditur dhe mendje të shkathta për të nxjerrë njerëzimin dhe tërë botën nga kjo gjendje krize, sepse në Forumin Ekonomik Botëror të mbajtur në Davos të Zvicrës si duket nuk është zgjidhur ende kjo krizë globale. Aty vetëm janë diagnostifikuar shkaqet dhe mundësitë e kapërcimit të saj, por jo edhe një qëndrueshmëri apo shpjegim i mëpastajmë i ekonomisë globale. Kështu që duhet kërkuar njerëz që kanë dhunti dhe përvojë në këtë drejtim si dhe njerëz që janë të bekuar për të çuar njerëzimin dhe kombet në drejtim të rrugës dhe të vërtetës si dhe të një ndërgjegje e morali të pastër. Bota duhet të marrë shembullin e Jozefit në këtë krizë globale, ndërsa faraonët (liderët politikë) e kombeve të ndryshme duhet t’u binden dhe të kërkojnë shpjegim prej njerëzve si shembulli i Jozefit, ngase vetëm kështu njerëzimi gjen arsyen dhe moralin e humbur, pastaj rrugën e ndërgjegjes së pastër si dhe të progresit e zhvillimeve të gjithëmbarshme të mirëqenies së botës në përgjithësi.

*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›