E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënojnë rritje të prodhimit

Nga Express më 25 gusht 2011 në ora 20:45

Pas një muaji të vënies së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, fabrikat prodhuese të rajonit të Podujevës kanë shënuar rritjet të prodhimit, shitjes dhe të të punësuarve rreth 50 për qind.

Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë vizitës të enjten së zyrtarëve të Aleancës Kosovare të Bizneseve në disa ndërmarrje, si “Intercompany”, e cila merret me përpunimin e lulediellit dhe prodhimin e vajit ushqimor, atë të lëngjeve natyrale “Laberion Dona”, fabrikën e blloqeve “Euro bllok”, thertoren e mishit “ABB”, atë të grumbullimit dhe përpunimit të perimeve dhe pemëve “Agroprodukti” dhe fabrikën e prodhimit të detergjentit “Blixt”.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), tha se pas vënies së masave të reciprocitetit prodhuesit vendës kanë shënuar ngritje, ku të gjithë po lavdërohen për rritje të prodhimit dhe shitjes.

“Shpresojmë se këto fabrika që po prodhojnë prodhime shumë cilësore, të shënojnë rezultate edhe më të larta dhe të shtojnë jo vetëm investimet, por edhe prodhimet e reja dhe fitimin”, tha Shahini.

Ai kërkoi nga prodhuesit vendës që qytetarëve t’u ofrojnë prodhime sa më kualitative, duke thënë se qytetarët tashmë janë vetëdijesuar dhe po konsumojnë vetëm prodhime vendëse.

“Fabrikat e vendit tash kanë mundësi shumë të mira të zhvillimit dhe përparimit”, tha kreu i AKB-së.

Sylejman Konushevci, pronar i fabrikës së vajit “Intercompany”, tha se derisa më parë hynin prodhime nga shumë vende tash pas vendimit për masa të reciprocitetit kanë ndikuar në rritjen e prodhimit dhe të shitjes mbi 50 për qind.

“Nga masat e reciprocitetit nuk përfitojmë vetëm ne prodhuesit, por edhe fermerët, institucionet pra të gjithë, sepse parat do të mbesin në Kosovë dhe nuk do të shkojnë jashtë dhe do të zhvillohet ekonomia”, ka thënë ai.

Bashkim Osmani, pronar i fabrikës së lëngjeve “Laberion Dona”, tha se masat e reciprocitetit ndikuan që të ketë rritje të shitjes dhe konsum mbi 20 për qind për prodhimet tona, ndërsa Ismet Beselica, pronar i fabrikës “Euro bllok”, tha se tash është ngritur prodhimi 30 për qind dhe punësimi mbi 50 për qind.

Edhe pronarët e ndërmarrjeve tjera kanë mirëpritur vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, ndërsa nga Qeveria e Kosovës kanë kërkuar arritjen e marrëveshjes me BE-në për rikthimin e referencave tregtare me Kosovën, për shkak se prodhuesit po dëmtohen me mbi 30 për qind. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›