E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbim pa limit në 26 qendra

25/02/2009  ISKSH: Shërbim 24 orë në qendrat shëndetësore të largëta, pranë të cilave mungojnë urgjencat

Përcaktohet pagesa shtesë për personelin që do të punojë gjatë orëve të natës

Në shumë rrethe të vendit mungojnë urgjencat pranë qendrave të kujdesit parësor, situatë e cila ka detyruar pacientët të marrin udhën drejt spitaleve. Për të mënjanuar këtë gjë, si dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore ka vendosur që këto qendra të ofrojnë shërbime 24 orë non stop për të gjithë banorët. Ky vendim është marr gjatë mbledhjes së këshillit administrativ të këtij institucioni, që u zhvillua ditën e djeshme. Kështu, në të gjitha qendrat shëndetësore që ndodhen në zona të cilat nuk kanë afër shërbim sekondar (i cili mund të ofrojë shërbimin e urgjencës), do të ofrojnë kujdes shëndetësor pa ndërprerje. Përkundrejt këtij vendimi janë marrë masat për shpërblimin e stafit mjekësor me paga shtesë për orët që do të punojnë në turne. Ky shërbim, i cili është parashikuar në paketën bazë të shërbimit parësor, do të ofrohet me pagesë shtesë për personelin, duke filluar nga data 1 janar 2009.

Evidentimi

Pas evidentimeve të bëra pohohet se janë 26 qendra që do të jenë të hapura për pacientët gjatë gjithë kohës. Sipas marrëveshjes midis ISKSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, është përcaktuar të ofrohet nga 26 qendra shëndetësore të bashkive të kategorisë së tretë, të cilat janë “në rajonin Berat 1, qendër (Ura Vajgurore), Dibër 1, qendër (Klos), Durrës 5, qendër (Shijak, Sukth, Manzë, Fushë-Krujë, Rrogozhinë), Elbasan 2, qendra (Cërrik, Belsh), Fier 3, qendër Patos, Roskovec, Divjake), Gjirokastër 2, qendër Libohovë, Këlcyrë), Korçë 1, qendër (Maliq), Shkodër 3, qendër (Koplik, Vau i Dejës, Fushë-Arrëz), Vlorë 4, qendër (Orikum, Selenicë, Himarë, Konispol ), Tiranë 2, qendër, (Kamëz, Vorë), Lezhë 2, qendër (Rubik, Mamurras)”.

Pagesat

Në vendimin e marrë janë parashikuar të shtohen edhe pagesat për shërbimin që do të ofrojnë nga ora 20:00 deri në orën 8:00 mjekët, infermierët dhe shoferët. Nga përllogaritjet e bëra rezulton se kostoja e këtij shërbimi (paga, sigurime shoqërore e shëndetësore, mallra e shërbime) për një qendër shëndetësore në një vit shkon në rreth 1.5 milion lekë, ndërsa kostoja për 26 qendra shkon rreth 39 milionë lekë. Këto shpenzimeve do të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2009 për kujdesin parësor. Njëkohësisht është përcaktuar edhe dhënia e një shtese për kushte pune për mjekun pediatër që punon në konsultore, shtese e cila nuk ishte parashikuar në udhëzimin e mëparshëm. Gjithashtu parashikohet edhe shtesa për kushte pune për infermieret e kirurgjinë vazale. Të dyja shtesat e mësipërme, të cilat janë përkatësisht 1100 lekë në muaj, për mjekun pediatër në konsultore dhe 1000 lekë në muaj për infermier në kirurgjinë vazale përballohen nga buxheti i vitit 2009 përcaktuar për qendrat shëndetësore.

Berat 1, qendër (Ura Vajgurore);

Dibër 1, qendër (Klos);

Durrës 5, qendër (Shijak, Sukth, Manzë, Fushë-Krujë, Rrogozhinë);

Elbasan 2, qendër (Cërrik, Belsh);

Fier 3, qendër (Patos, Roskovec, Divjakë);

Gjirokastër 2, qendër (Libohovë, Këlcyrë);

Korçë 1, qendër (Maliq);

Shkodër 3, qendër (Koplik, Vau i Dejës, Fushë-Arrëz);

Vlorë 4, qendër (Orikum, Selenicë, Himarë, Konispol );

Tiranë 2, qendër (Kamzë, Vorë);

Lezhë 2, qendër (Rubik, Mamurras).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›