E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimet jashtë vendit, dieta deri 25 euro në ditë

15/12/2011   Trajtimi financiar

Qeveria vendosi se do të trajtohen financiarisht për përballimin e shpenzimeve të gjithë të dërguarit prej saj me shërbim jashtë vendit për të marrë pjesë në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare. Sipas vendimit të miratuar dje nga qeveria, trajtim financiar përfitojnë edhe punonjësit e përfaqësive tona jashtë vendit kur emërohen, transferohen, dërgohen me shërbim jashtë përfaqësisë ose në një vend tjetër të huaj, si dhe kur kthehen në atdhe me shërbim. Trajtimi sipas vendit ku dërgohet personi bëhet në euro ose dollarë. Ai përfshin dietën ditore, shpenzimet e transportit, shpenzimet e fjetjes dhe shpenzimet për pagesa të ndryshme, si: siguracion shëndetësor, viza, taksa, qira zyre etj. Masa e dietës ditore apo dhe shpenzimet e fjetjes janë të ndryshme për persona të ndryshëm. Ajo varet nga kategoritë dhe funksionet e tyre. Shpenzimet për transportin urban (metro, tramvaj, autobus etj.) përballohen nga vetë punonjësi. Gjithashtu telefonatat nga hoteli apo telefoni celular personal nuk mbulohen nga shpenzimet e institucionit, por nga vetë punonjësi. Qeveria nuk merr përsipër trajtimin financiar të punonjësve të vet vetëm në rastet kur këto shpenzime janë plotësisht në ngarkim të palës pritëse, punonjësit nuk trajtohen financiarisht nga buxheti i institucionit të tyre dhe nuk i detyrohen për asgjë këtij institucioni; pjesërisht në ngarkim të palës pritëse, të cilat dokumentohen zyrtarisht nga pritësi, buxheti i institucionit përkatës përballon pjesën tjetër të shpenzimeve. Trajtim financiar përfitojnë punonjësit edhe kur dërgohen jashtë vendit për trajnime afatshkurtra me urdhër të titullarit të institucionit. Masa e dietës përllogaritet me 25 euro ose dollarë në ditë. Këto rregulla zbatohen edhe për entet publike jobuxhetore, ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50% shtetëror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›