Shërbimi Social fut në skemën e ndihmës ekonomike familjet e përmbytura
Të gjitha familjet që janë prekur nga përmbytjet si pasojë e shkarkimeve të ujërave të hidrocentralit të Fierzës do të përfshihen urgjent në skemën e ndihmës ekonomike. Udhëzimi i ri i Shërbimit Social Shtetëror u është shpërndarë gjithë zyrave rajonale të shërbimit social në njësitë vendore të mbarë vendit. Sipas burimeve zyrtare nga Shërbimi Social Shtetëror, një ekip pune i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Mihal Naço po inspekton familjet e
dëmtuara në zonat e përmbytura nga reshjet e ditëve të fundit në zonat e përmbytura të prefekturës së Shkodrës. SHSSH do të ofrojë trajtim të menjëhershëm me ndihmë ekonomike për familjet e dëmtuara nga fatkeqësia, si dhe asistencë e sistemim të shpejtë për fëmijët në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuar, në institucionet e përkujdesit social publik në varësi te SHSSH-së, u shpreh Drejtori i SHSSH-së, Mihal Naço. Sipas tij, fondi i akorduar për ndihmën ekonomike është i mjaftueshëm për futjen në skemë të këtyre familjeve të reja të cilat në fillim të vitit të ri po rrezikohen nga një katastrofë natyrore e cila u ka shkatërruar gjithë ekonominë familjare dhe po u rrezikon deri dhe jetën.
Last Updated on E Enjte, 07 Janar 2010 21:18