E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi i Djegie-Plastikës, 1 milion euro për mjediset dhe aparaturat

Rindërtim të ambienteve, pajisje me aparatura si dhe linja të furnizimit të herëpashershëm me barna i sigurohen shërbimit të Djegie-Plastikës në QSUT. Komisioni Evropian ka dhënë një grant me vlerë 962.000 euro për të vetmin projekt në sektorin e shëndetësisë. Financimi vjen në kuadër të Programit të Fqinjësisë Itali-Shqipëri dhe do të shërbejë për përmirësimin e këtij shërbimi.

Projekti

Ky projekt është përgatitur nga mjekët specialistë të shërbimit të Djegie-Plastikës dhe ekspertë të Ministrisë së Integrimit. Më konkretisht, qëllimi i këtij projekti është trajtimi në mënyrë bashkëkohore i patologjisë së djegies.

Në kuadër të këtij projekti do të rindërtohet reanimacioni i këtij shërbimi, duke e kthyer këtë shërbim të gatshëm të përballojë në mënyrë të denjë trajtimin e rasteve më kritike, si dhe rastet e katastrofave nga zjarri apo situatave të tjera emergjente.

“Drejtimet kryesore janë investimi në rikonstruksionin e ambienteve sipas standardeve bashkëkohore, pajisja me aparatura dhe mjete të sofistikuara, kualifikimi i mëtejshëm i personelit të lartë mjekësor, por edhe atij jomjekësor lidhur me përdorimin e pajisjeve, si dhe linja e furnizimit të herëpashershëm me barna”, - bën me dije specialisti i zyrës së shtypit në QSUT, Alvi Bajramaj.

Sipas të njëjtit burim, pohohet se projekti mbështetet edhe nga Agjencia për Kujdesin Shëndetësor e Rajonit të Puljas, si përfaqësuese e shtetit italian në marrëveshjen dypalëshe të bashkëpunimit ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij italian.

“Duke qenë se në fokus të punës time si drejtore e përgjithshme e QSUT-së është pikërisht përmirësimi i cilësisë së shërbimit dhe kujdesit ndaj pacientëve, më lejoni edhe një herë t’ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të përzemërta”, - u shpreh drejtorja e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Gjeorgjina Kuli.

“Kjo qendër spitalore ofron shërbime terciare, të cilat nuk mund të ofrohen nga spitale të një niveli tjetër, ndaj do të doja të nënvizoja rëndësinë kombëtare të këtij projekti”.

Djegie-Plastika

Shërbimi i Djegie-Plastikës shërben si një qendër e rëndësishme për qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm, e cila përmbush të gjitha standardet evropiane.

Në shërbimet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” punojnë profesorë dhe mjekë të specialiteteve të ndryshme, të cilët u shërbejnë pacientëve me profesionalizëm dhe humanizëm. Projekte të kësaj natyre dhe në të tilla përmasa ndihmojnë ndjeshëm në përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit ndaj pacientëve.

Godo: Prioritet, lufta kundër tuberkulozit

"Qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë, pavarësisht përmirësimit të situatës epidemiologjike të tuberkulozit, do të vazhdojë ta konsiderojë luftën kundër kësaj sëmundjeje si një nga përparësitë e saj", - garantoi të enjten ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë promovimit të Strategjisë Kombëtare të Tuberkulozit 2009-2014 në hotel "Tirana International".

"Në mënyrë konstante, ne do të mbështesim, si nga ana ligjore edhe financiare Programin Kombëtar të Kontrollit të Tuberkulozit", - u shpreh ministrja Godo, duke shtuar se lançimi i strategjisë së re për kontrollin e tuberkulozit është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për kontrollin e TB-së në Shqipëri, por edhe për sistemin shëndetësor në tërësi.

"Strategjia për vitet në vazhdim vjen si domosdoshmëri e reformave në fushën e mjekësisë dhe mundësohet jo vetëm nga gjendja e përmirësuar e situatës epidemiologjike, por edhe nga kontributi financiar i qeverisë shqiptare dhe Fondit Global", - tha ministrja Godo. Sipas saj, "kjo strategji mundësohet në radhë të parë nga rezultatet e mira epidemiologjike, të cilat janë fryt i punës shumëvjeçare të një sërë brezash mjekësh dhe punonjësish të tjerë shëndetësorë në fushën e tuberkulozit".

"Një nga sfidat më të rëndësishme të strategjisë së re është integrimi i tuberkulozit në shërbim publik. Kjo, për më tepër diktohet edhe nga skema e re e sigurimeve shëndetësore, që së shpejti do të aplikohet, gjithashtu, edhe nga ndryshimi i misionit të Spitalit Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive 'Shefqet Ndroqi' në spital të përgjithshëm", - tha ministrja Godo.

Sistemi i ngrohjes

Vetëm në 50% të kopshteve dhe shkollave

Rreth 50 për qind e shkollave dhe kopshteve, të cilat janë në juridiksionin e Bashkisë së Tiranës, janë pajisur gjatë këtij viti me sistem ngrohjeje. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, "deri tani janë pajisur me kaldaja 18 çerdhe nga 29 që është numri total i tyre dhe 17 shkolla nga 43 të tilla, por ky projekt do të vazhdojë edhe për vitin që vjen, duke synuar që të pajisen me sistem ngrohjeje të gjitha kopshtet dhe shkollat". Punimet për instalimin e sistemeve të ngrohjes të kopshteve, çerdheve dhe shkollave është bërë nga ndërmarrja nr. 3 e punëtorëve të Bashkisë. Po sipas të njëjtave burime, mësohet se funksionimi i sistemeve të ngrohjes në kopshte dhe çerdhe ka nisur, ndërsa në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaze do të vihet në përdorim në fillim të javës që vjen. Vlera e këtij projekti është 24 milionë lekë, akorduar nga buxheti i bashkisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›