E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimi, të gjithë fshatrat me ambulancë

01/04/2009  Kërkohen fonde për rikonstruksione

DURRES- Të gjitha komunat e bashkitë që mbulohen nga Drejtoria e Shërbimit Parësor në Durrës kanë shërbim mjekësor në ambulanca, shërbim i cili do të afrohet edhe në çdo fshat. Në saj të investimeve me fonde të Ministrisë së Shëndetësisë janë ndërtuar katër objekte të reja ambulatore në fshatra periferik të Durrësit dhe secila prej tyre ka kushtuar 2 milionë lekë pa përfshirë vendosjen e pajisjeve të domosdoshme. Drejtoresha e këtij shërbimi në Durrës Lida Boshku ka theksuar se Ministria e Shëndetësisë ka projekte të tjera për të ndërtuar edhe në fshatin më skajor ambulancë si dhe për të afruar mjekë e personel të mesëm mjekësore pavarësisht numrit të banorëve. Tashmë ka përfunduar ndërtimi i objekteve si dhe fillimi i shërbimit për popullatën në fshatin e thellë të komunës së Ishmit, në fshatin Kapedanaj. Në harkun kohor të një viti kanë përfunduar edhe qendrat shëndetësore në Kameras të bashkisë së Manzës, në lagjen “Mirditë” të komunës së Rrashbullit dhe në fshatin Borakë të komunës Xhafzotaj. Por ka mbetur në kuadër të kërkesave dhe premtimeve nga ana tjetër synimi i Drejtorisë së Shëndetit Publik për të krijuar kushte të standardizuara ndaj pacientëve dhe qytetarëve në disa nga godinat e saj. Konkretisht drejtoresha Boshku ka kërkuar në ministri fonde për rikonstruksionin e godinës së klinikës dentare ku zhvillojnë aktivitet administrata e drejtorisë, shërbimi stomatologjik shtetëror dhe shërbimi ambulator. Doktoreshë Boshku, drejtuese e shërbimit, ka pohuar se janë disa kërkesa adresuar ministrisë dhe bashkisë në kuadër të marrjes së detyrimeve për realizimin e projekteve enkas për qendra shëndetësore. “Investimet për shërbim shëndetësor vinë në dy krahë, si nga ministria e linjës edhe nga njësia vendore”,-ka bërë të qartë Boshku duke theksuar se ka bërë të gjitha përçapjet për gjetjen e fondeve përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›