Siria në kaos, Rusia mbështet planin e Annan
Siri- Rusia dhe fuqitë e tjera botërore kanë rënë dakord për të mbështetur një propozim të të dërguarit të OKB-së Kofi Annan për një qeveri të unitetit kombëtar për të udhëhequr ndryshimin politik në Siri.
Diplomatë perëndimorë thonë se kabineti i propozuar mund të përfshijë anëtarë të opozitës siriane dhe qeverisë por askënd që do të minonte kredibilitetin e saj.
Ndërsa ata e shohin presidentin Bashar al-Assad si të përjashtuar nga plani edhe pse s’është e qartë nëse edhe Rusia e ndan këtë pikëpamje.
Ideja do të diskutohet të shtunën nga grupi i veprimit të OKB-së në Siri. Sipas një diplomati që citohet nga Reuters zoti Annan bëri të qartë se çdo zgjidhje duhet të jetë e pakthyeshme me hapa të qarta drejt tranzicionit dhe me një afat kohor të caktuar.
‘Këto përfshijnë krijimin e një qeverie të përkohshme kombëtare për të krijuar një sfond neutral për tranzicion’- tha diplomati.
Rusia gjatë kësaj kohe i ka rezistuar presionit për të hequr presidentin Assad duke thënë se e ardhmja e popullit sirian duhet t’i lihet atyre në dorë dhe jo të imponohet nga jashtë.
Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton e cila do të marrë pjesë në takimin e së shtunës tha se nëse të gjitha palët ishin dakord për planin e Annan për tranzicion politik kjo mund të jetë një shpresë e madhe se mund të përbëjë një pikë kthese për popullin sirian.
Teksa propozimi do të diskutohet në Gjenevë nga pesë anëtarët e perhershëm të Këshillit të Sigurimit si dhe fuqitë rajonale Turqi, Irak, Kuvajt dhe Katar.
OKB thotë se mbi 10 mijë persona kanë humbur jetën që kurse protestat pro demokracisë kanë nisur në Siri në Mars të vitit 2011.
Dorina Bilbili/IDEA/