E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në një lokal, plagosen më armë 3 të rinj

02/06/2011  Njëri prej të plagosurve në gjendje të rëndë për jetën

POGRADEC- Tre të rinj: shtetasi me inicialet C.K., 39 vjeç, banues në fshatin Rëmenj të Pogradecit dhe 29-vjeçari me inicialet G.P., banues në lagjen nr. 5 në Pogradec, si dhe 28- vjeçari me inicialet, O.O., banues në lagjen nr. 1 të Pogradecit, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri. Fill pas ngjarjes tre të plagosurit përfunduan në spitalin e Pogradecit, ku njëri prej tyre, shtetasi C.K, pasi mori mjekimin e duhur u largua për në banesën e tij, ndërsa dy të tjerët vazhdojnë të mbeten nën kujdesin e mjekëve. 29-vjeçari G.P., i cili është plagosur në dorën e djathtë ndodhet jashtë rrezikut për jetën, kurse i treti, shtetasi me inicialet O.O., rezulton të jetë ende në gjendje të rëndë. Gjithçka kishte ndodhur në orët e vona të mbremjes të ditës së martë, ku tre të rinjtë e përmendur më sipër ishin konfliktuar për motive të dobëta me dy persona të tjerë dhe konkretisht me Geront Berberin, 40 vjeç, banues në lagjen nr. 2 të Pogradecit, dhe me shtetasin Genci Allka, 43 vjeç banues po në lagjen nr 2 në Pogradec. Në momentin e konfliktit, Berberi dhe Allka kishin qëlluar me armë zjarri pistoletë “Zastava”, ku për pasojë mbeten të plagosur personat e citur më lart. Pas kësaj, 43-vjeçari Genci Hallka ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes dhe tashmë rezulton i shpallur në kërkim, ndërsa Geront Berberi, u arrestua nga policia. Në lidhje me këtë ngjarje, burime të policisë bënë të ditur se tashmë nga ana e strukturave të policisë në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Korçë, në bashkëpunim dhe me Komisariatin e Pogradecit u bë dokumentimi ligjor i ngjarjes. Ndërkaq u arrestua në flagrancë shtetasit Geront Berberi, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi Genci Allka. Sipas policisë, procedimi penal ndaj këtyre shtetasve u bë, sepse ditën e martë, gjatë orëve të darkës, në lagjen nr. 3 të qytetit të Pogradecit, dhe konkretisht në lokalin bar kafe “Prada”, pas një grindjeje për motive të dobta dyshohen të kenë qëlluar me arme zjarri, pistolete tip, “Zastava” shtetasit e përmendur më sipër. Në lidhje me ngjarjen e mësipërme, veprat penale të konsumuara janë: “vrasje e ngelur në tentativë në bashkëpunim” dhe “mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 76, 22, 25, dhe 278/2 te Kodit Penal. Ndërkaq materialet e përpiluara i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për hetime të metejshme, ndërsa po punohet intensivisht për kapjen e Genci Hallkës, i cili mundi të largohej nga vendi i ngjarjes. Gjithsesi nga ky konflikt ka mbetur në gjendje të rëndë njëri prej të plagosurve, ku mjekët po bëjnë të gjitha përpjekjet për shpëtimin e jetës së tij.

V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›