E Diel, 1 Nëntor 2026

Skenar për vjedhje me motor, arrestohet autori, në kërkim bashkëpunëtori

02/06/2011  Kishin planifikuar të vidhnin 700 mijë lekë

Korçë- Vjedhje me motor, ky kishte qënë skenari i parapërgatitur nga dy të rinj, banorë të qytetit të Korçës. Motori do t’u krijonte mundësinë që vjedhja të realizohej në një kohë të shpejtë; largimi nga vendi i ngjarjes të kryhej po ashtu, ndërsa policia kur të mbërrinte në vendin e ngjarjes të mbetej e habitur: “Si ndodhi që autorët u larguan kaq shpejt?!” Gjithë historia e vjedhjes do të mbetej një enigmë, ashtu siç ndodh nëpër filma, kurse dy skenaristët e vjedhjes do të kishin në xhepat e tyre 700 mijë lekë, dhe kjo do të ndodhte në një kohë sa hap dhe mbyll sytë. Për këtë arsye, fillimisht ata kishin blerë motorin, ndërsa më pas ishin vënë në veprim. Megjithatë, asgjë nuk do të shkonte ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, sepse autori i kësaj ngjarjeje në të njëjtën kohë dhe pronar i motorit, Dritan Doresi, u arrestua nga policia, ndërsa bashkëpunëtori i tij, identiteti i të cilët nuk bëhet i ditur, për ironi të skenarit, meqënëse nuk kishte motor ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes. Tashmë ky i fundit është shpallur në kërkim, ndërsa pritet që shumë shpejt të ndodhe dhe arrestimi i tij. Lidhur me sa më sipër, burime të Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës bënë të ditur se strukturat e policisë bënë të mundur ndalimin e shtetasit Dritan Doresi, 26 vjeç, banues në lagjen nr. 4 në Korçë, sepse ky shtetas në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ende i paidentifikuar, në dt 30.05.2011, gjatë orëve të drekës, në vendin e quajtur shkolla “Demokracia”, në qytetin e Korçës, janë autorë të vjedhjes me dhunë të shtetasit me iniciale A.S, ku këtij të fundit kishin mundur t’i merrnin një shumë prej 700.000 lekësh. Pas kësaj, të dy shtetasit ishin larguar nga vendi i ngjarjes me një ciklomotor, i identifikuar si i markes “Lonxia”. Nga hetimet e kryera, siç sqaruan burimet e policisë, është provuar se ky ciklomotor ishte blerë nga shtetasi Dritan Doresi, në një pikë shitjeje në qytetin e Pogradecit, me qëllim realizimin e kësaj ngjarjeje. Tashmë motori ndodhet i sekuestruar nga policia, pasi Dritan Doresi u kap kur nuk ishte larguar shumë nga vendi i ngjarjes. Aktualisht materialet e përpiluara në ngarkim të këtij shtetasi i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për vepren penale “vjedhje me dhunë” e kryer në kushtet e bashkëpunimit, e parashikuar nga nenet 139 dhe 25 te Kodit Penal. Ndërkohë po punohet për identifikimin e autorit të dytë të kesaj ngjarjeje, si dhe vënien përpara përgjegjësise ligjore te tij. Kështu është mbyllur skenari i parapërgatitur i vjedhjes me motor, i cili ishte parashikuar të ndodhte ashtu si nëpër filma, veçse për dy autorët nuk ka rezultuar kështu. Ai që kishte motorin u arrestua i pari, ndërsa tjetri pritet të arrestohet.

Vepror Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›