E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr për tokën, plagoset shoferi i komunës

Sherri për një truall toke
në bregdet, për pak ka
marrë jetën e shoferit të
kryetarit të Komunës së
Velipojës. Ngjarja ka ndodhur
dje pasdite, në qendër të plazhit
të Velipojës, pranë sheshit ku
numri 2 i PD-së, Jozefina Topalli
do të zhvillonte një miting
elektoral. Kjo ka bërë që ngjarja
të komentohet si politike nga
drejtues të Komunës së Velipojës,
por kjo është kundërshtuar nga
të afërmit e personit të përfshirë
në konflikt. Sipas familjarëve,
ngjarja ndodhi për motive pronësie
dhe pas saj nuk fshihet asnjë
arsye politike. Në orën 17:30 të së
shtunës, mes shoferit të kryetarit
të komunës, Fran Lekvukaj, dhe
Pëllumb Gjokës, banor i zonës,
ka pasur një debat, që fillimisht
ka nisur me sharje dhe fyerje
të ndërsjella, por që më pas ka
degjeneruar në përdorim të armëve.
Gjatë përplasjes fizike, Pëllumb
Gjoka ka nxjerrë një pistoletë
dhe ka goditur me qytën e saj
Lekvukajn në kokë. Fatmirësisht
arma nuk ka shënuar qitje, sepse
krehri i fishekëve është rrëzuar
dhe plumbat janë përhapur në
tokë. I lënduari është dërguar për
në spitalin rajonal të Shkodrës,
ku i është dhënë ndihma e parë
mjekësore, ndërsa autori i ngjarjes
është larguar me një makinë, duke
mundur t‘i shpëtojë policisë.
Policia në vendin e ngjarjes ka
sekuestruar në cilësinë e provës
materiale disa plumba pistolete
dhe një këllëf pistolete.
Ndonëse të afërmit e personave
të përfshirë në ngjarje kanë
deklaruar se shkak i përplasjes
është prona, drejtues të Komunës
së Velipojës e kanë interpretuar
ngjarjen si politike. I menjëhershëm
ka qenë dhe reagimi i Partisë
Socialiste, dega Shkodër, e cila
e ka hedhur poshtë këtë variant.
Drejtues të Partisë Socialiste pohuan
për gazetën se Gjoka nuk ka
lidhje me Partinë Socialiste, pasi
ai nuk është anëtar, as aktivist i
kësaj force politike. Kjo është pohuar
dhe nga të afërmit e Gjokës,
të cilët janë shprehur për gazetën:
"Gjithçka ka ndodhur për motive
pronësie, pasi mes dy personave
kishte një konflikt të hershëm për
një tokë në bregdet dhe i gjithë
sherri ka qenë për pronën dhe jo
për politikë. Kjo ngjarje kërkohet
të shfrytëzohet politikisht, por
nuk është e drejtë, pasi nuk kemi
të bëjmë me politikën". Fakti
është pohuar dhe nga banorë të
zonës, të cilët kanë pohuar se mes
Gjokës dhe Lekvukajt kishte një
konflikt të hershëm për një sipërfaqe
toke në afërsi të bregdetit.
Menjëherë pas ngjarjes, e
gjithë zona është rrethuar nga
forca të shumta policie, si dhe nga
forca të ndërhyrjes së shpejtë,
të cilat ishin të pranishme për
faktin se në vendin ku ndodhi
përplasja, kryeparlamentarja
Topalli do të zhvillonte një takim
elektoral me banorët e zonës.
Një orë pas ngjarjes, policia ka
gjetur të braktisur, pranë një pylli,
automjetin e braktisur të autorit
të ngjarjes, ndërsa kanë vazhduar
kërkimet për kapjen e tij. Në
gjithë aksin rrugorë Shkodër-
Velipojë janë ngritur postblloqe
të lëvizshme dhe është ndaluar
për kontroll çdo mjet i dyshimtë,
por ende nuk është bërë kapja
e tij. Me anë të një njoftimi zyrtar,
Policia e Shkodrës sqaroi se
ngjarja ka pasur për shkak motive
të dobëta dhe ka ardhur pas një
grindjeje të çastit, duke mos përmendur
motivet politike në lidhje
me ngjarjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›