E Diel, 1 Nëntor 2026

U drejton çiften kushërinjve, prangoset 39-vjeçari

Grindet me kushërinjtë e
parë dhe më pas qëllon
në ajër me çiften që u ka
rrëmbyer nga duart. Ngjarja ka
ndodhur mesnatën e së premtes
dhe policia konfirmon se ka prangosur
autorin, 39-vjeçarin Arben
Driza, mëngjesin e djeshëm
për akuzat "vrasje e mbetur në
tentativë" dhe "armëmbajtje pa
leje". Burimet zyrtare të Policisë
së Fierit bëjnë të ditur për gazetën
"Shqip" se 39-vjeçari Driza, banor
i fshatit Bishan, i Komunës së
Levanit, mesnatën e së premtes
është fjalosur dhe më pas është
përfshirë në një sherr banal me
disa të afërm që jetonin pranë me
të. Ditën e premte, Driza kishte
shkuar në shtëpinë e vajzës së
hallës së vet në Levan të Fierit.
Aty është takuar me kushërirat e
tij, E.Çela 20 vjeç, V.Lame, 22 vjeç,
dhe M.Lame, 29 vjeç. Bisedat mes
kushërinjve, kryesisht rreth gjendjes
ekonomike të të dyja palëve,
kanë degjeneruar në sharje dhe
fyerje reciproke. Policia bën
të ditur se kur Driza ka kaluar
kufirin me fyerjet, të kushërirat
nuk kanë hezituar t‘i drejtojnë
atij armën e gjahut që kishin në
shtëpi pa leje. Duke u ndier nën
kërcënimin e armës, 39-vjeçari u
ka rrëmbyer armën nga dora dhe
ka mundur ta kthejë kundër tyre.
Driza ka shkrehur armën në ajër,
duke shkaktuar panik në familje.
Sherri është dëgjuar nga fqinjët,
të cilët pas krismës së armës,
njoftuan policinë. Kjo e fundit ka
mbërritur menjëherë në vendin e
ngjarjes dhe ka ndërhyrë jo vetëm
për të normalizuar situatën, por
edhe për të arrestuar autorin
që drejtori armën në drejtim të
kushërirave dhe kushëririt të
tij. Policia mësohet se e vuri në
pranga 39-vjeçarin Driza vetëm
pak minuta pas ngjarjes. Autori
ka deponuar në polici se shkrehja
e armës ka qenë thjesht një
paralajmërim, pa dashur të vrasë
të afërmit, por uniformat blu e
kanë klasifikuar këtë ngjarje si
vepër penale dhe e ka akuzuar
Drizën për "vrasje të mbetur
në tentativë". Arma e gjahut i
është faturuar autorit edhe pse
39-vjeçari e kishte marrë atë
nga dora personave të tjerë,
të përfshirë në ngjarje. Kështu
një tjetër akuzë rëndon mbi
39-vjeçarin, ajo e "armëmbajtjes
pa leje të armës së gjahut". Policia
bën të ditur për gazetën se
39-vjeçari Arben Driza, ka qenë
i dënuar më parë për veprën
penale të "shkatërrimit të pronës
së tjetrit" dhe shumë herë kishte
shfaqur shenja të çrregullimit
nervor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›