E Diel, 1 Nëntor 2026

Maliq, luftë politike edhe me fadroma

Kryetari i bashkisë urdhëron prishjen e kioskës së nënkryetarit të këshillit bashkiak

Kryetari i Bashkisë së Maliqit i prish lokalin nënkryetarit të Këshillit Bashkiak. Konflikti politik i lindur pasi nënkryetari aktual, Rexhep Fejzo, kaloi me grupimin e djathtë duke prishur kështu balancat në këshill dhe duke ia kaluar drejtimin e tij të djathtëve, ka sjellë edhe përplasjen e radhës. Nga ana e kryetarit të bashkisë, Gëzim Topçiu, është marrë vendimi për prishjen e lokalit të nënkryetarit të këshillit me argumentin se është ndërtim pa leje. Prishja e dyqanit në pronësi të nënkryetarit të këshillit bashkiak të Maliqit, Rexhep Fejzo, me vendim të kreut të bashkisë ka çuar në përplasjen mes pronarëve të objektit dhe inspektoratit ndërtimor të bashkisë. Ndërsa fadromat kanë shkuar pranë objektit për të ekzekutuar vendimin ka ardhur edhe revolta e pronarëve të lokalit për faktin se objekti ende nuk ka marrë një përgjigje nga “ALUIZNI” ku është paraqitur për legalizim. Duke e konsideruar kioskë lokalin në pronësi të nënkryetarit të këshillit, Rexhep Fejzo, kryebashkiaku ka lëshuar vendimin e prishjes edhe pse me një vendim gjykate dhe me dokumentet e paraqitura për legalizim nënkryetari ka kërkuar që të mos ndërhyhet në objekt, duke e quajtur këtë të kundërligjshme. Sipas Rexhep Fejzos, arsyeja që ka çuar kreun e bashkisë drejt këtij vendimi është tërësisht politike për faktin se vota e tij ka ndikuar në ndryshimin e këshillit bashkiak. Fejzo i cili ka lënë të majtën, duke iu bashkuar grupimit të djathtë, thotë se kryetari po hakmerret për motive politike dhe se vendimi i prishjes së objektit është i jashtëligjshëm. “Këtë dyqan unë e kam paraqitur për legalizim dhe nuk ka ende një përgjigje nga “ALUIZNI”. Për më tepër për shkak se unë i kam paraqitur dokumentet për legalizim me një vendim gjykate është pezulluar kërkesa për prishje objekti dhe pezullimi i ekzekutimit të vendimit të prishjes. Unë do të padis kryetarin për prishjen e dyqanit tim, pasi ai e bën këtë vetëm për hakmarrje politike”, tha Fejzo. Lokali që në letra është në pronësi të gruas së nënkryetarit është bërë mollë sherri kur fadroma i është afruar murit për prishje. Pronarët kanë penguar fadromën duke i dalë përpara dhe duke hipur mbi, të por fadroma ka prishur çatinë dhe pjesën anësore të murit. Kjo ka shtuar jo vetëm revoltën e pronarëve, por edhe të banorëve të qytetit, sipas të cilëve në Maliq ka dhjetëra ndërtime pa leje dhe kioska të cilat nuk prishen. Dhjetëra qytetarë kanë dalë në mbrojte të nënkryetarit të këshillit bashkiak për të ndaluar prishjen e lokalit. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Vera Fejzo, pronarja e lokalit, thotë se kreu i bashkisë ka vepruar vetëm nisur nga bindjet politike, pasi objekti nuk është kioskë dhe për më tepër ndodhet në proces legalizimi. “Dokumentet janë paraqitur për legalizim. Në një kohë që ka dhjetëra kioska që duhet të prishen në Maliq, kryetari i bashkisë prish dyqanin tonë për të cilin kemi një vendim gjykate”, tha Vera Fejzo. Konflikti mes palëve është shuar me largimin e fadromës që ka shembur një pjesë të objektit. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Maliqit deklaron se objekti është pa leje dhe është planifikuar për prishje. “Objekti është kioskë dhe kioskat nuk legalizohen. Kemi aksion për prishjen e këtyre objekteve dhe nuk ka asnjë motiv politik në këtë histori”, tha Gëzim Topçiu.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›