Trafikimi, në dy vjet në rrezik 265 fëmijë
Grupet e interesit shprehen se është nevojë imediate për njësitë vepruese që të ndërhyjnë për të parandaluar trafikimin e fëmijëve. Nisur nga fakti se në dy vitet e fundit gjatë viteve 2007 – 2009 janë identifikuar 265 fëmijë në “rrezik” dhe viktima të dyshuara trafikimi, specialistët mendojnë se duhet një përfshirje më e madhe dhe marrje përgjegjësish për menaxhimin e rasteve, si dhe për bashkëpunim me aktorët e tjerë të përfshirë në proces. Aktorët duhet të koordinohen dhe informojnë njëri-tjetrin mbi punën e tyre në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal politikash. Njerëzit që punojnë në organet kundër trafikimit dhe të mbrojtjes së fëmijëve, duhet të trajnohen në mënyrë që t’u përgjigjen nevojave të fëmijëve.
Komitetet Rajonale Antitrafikim duhet të përmirësojnë të kuptuarit e përgjegjësive të tyre dhe të ndërtojnë kapacitetet e nevojshme. Ka nevojë për plane veprimi dhe terma reference
konkrete për ata që janë të përfshirë në to. Deri tani operojnë disa Njësi të Mbrojtjes së Fëmijëve (CPU). Specialistë në këtë fushë janë vendosur në pesë rajone të ndryshme: Kukës, Vlorë, Elbasan, Korçë dhe Lezhë. Struktura organizative e CPU-ve ka vetëm një person, titulli i të cilit është “specialist për fëmijët”, ai është pjesë e stafit të shërbimeve sociale në bashki. Personeli i CPU-ve është përgjegjës për identifikimin e fëmijëve vulnerabël, identifikimin e problemeve me të cilat përballen fëmijët në komunitetin e tyre, propozimin për ndërhyrjet e ndryshme dhe ofrimin e shërbimeve sipas nevojave. Në grupin e targetuar përfshihen fëmijët e abuzuar, qoftë të trafikuar ose në rrezik dhe fëmijët e shfrytëzuar apo lënë pas dore. Mbrojtja e fëmijëve është një problem shumësektorial. Aktualisht, organet përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve dhe luftën kundër trafikimit janë: Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, Sekretariati Teknik për Fëmijët, Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Trafikimit Njerëzor, Njësia Antitrafikim në Ministrinë e Brendshme, Autoriteti Përgjegjës për Mekanizmin Kombëtar të Referimit, Sektori për Luftën ndaj Trafikimeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Kufirit dhe Emigracionit, Qendra Kombëtare Pritëse për Viktimat e Trafikimit Njerëzor, nënsektori për të Drejtat e Fëmijëve tek Avokati i Popullit dhe Komitetet Rajonale Antitrafikim.