E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha... rrugë e gjatë për në shtëpi!

Për shkak të anulimit të fluturimeve në Europë, Kryeministri me makinë nga Brukseli deri në Vjenë

Kaosi që ka përfshirë të gjithë Europën si pasojë e uraganit që ka shpërthyer në Islandë, ka vështirësuar edhe rrugën e kthimit të Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, dhe delegacionit që e shoqëronte për kthimin në atdhe. Mbushja e atmosferës së Europës me pluhur vullkanik, që konsiderohet me pasoja për avionët ka anuluar fluturimet nga Brukseli për në pjesën tjetër të kontinentit. Kreu i qeverisë shqiptare ndodhej në kryeqendrën e BE-së prej tri ditësh, ku ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të institucioneve të Bashkimit Europian. Por në kohën e kthimit, aeroporti i Brukselit nuk ka dhënë dritën jeshile për fluturimin e avionit, ku do të udhëtonte delegacioni shqiptar për të marrë rrugën e kthimit. Arsyeja: të gjitha fluturimet janë pezulluar. Por Berisha nuk ka pranuar të rrijë as edhe një ditë më shumë në Bruksel, ndaj ka marrë një tjetër mjet transporti alternativ për të ardhur në shtëpi, por deri në orët e vona të ditës së djeshme ka mbetur në Vjenë, pa mundur të udhëtojë në Tiranë. Bashkë me delegacionin e tij, kreu i qeverisë shqiptare ka udhëtuar me automjet nga kryeqyteti belg deri në Vjenë, duke kaluar nëpër Gjermani, që i ka kushtuar mijëra kilometra udhëtim.

Në fillim është studiuar edhe varianti i udhëtimit me tren, apo me traget nga Italia, por ky variant është rrëzuar, pasi koha ishte shumë e gjatë dhe e papërshtatshme. Në kryeqytetin austriak, Kryeministri shqiptar dhe delegacioni i gjerë që e shoqëronte, kanë mbërritur rreth orës 18.30 e ditës së djeshme për të gjetur variantet e kthimit në atdhe nëpërmjet aeroportit. Në orët e para të ditës së sotme, edhe Aeroporti i Rinasit ka vendosur pezullimin e disa fluturimeve me Europën, si pasojë e situatës së krijuar. Situata kaotike që ka prekur gjithë Europën si pasojë e resë vullkanike që ka ardhur nga Islanda, ka prekur edhe Aeroportin shqiptar të Rinasit. Dy fluturime drejt Londrës dhe Budapestit të kompanive “British Airways”, “Albanian Airlines” dhe “Malev” u anuluan dje, një efekt domino ky i mbylljes së aeroporteve përkatëse si pasojë e tymnajës që ka errësuar qiejt e Europës. Rinisja e fluturimeve nga Rinasi varet tërësisht nga situata në vendet europiane, aeroportet e të cilave do të mbeten të mbyllura për 24 orët e ardhshme. Edhe në Greqi dhe në Maqedoni janë anuluar dhjetëra fluturime.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›