E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikën nga shtëpia, familja akuzon fqinjët për rrëmbim

Policia e gjeti 17-vjeçaren nga Paskuqani në një hotel në rrugën nacionale

E mitura nga Paskuqani është larguar nga shtëpia pa vënë në dijeni prindërit pa e menduar se prindërit e saj do të akuzonin për rrëmbim një fqinjin e tyre. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së mërkurës në rrethinat e kryeqytetit dhe është regjistruar nga policia si incident mes dy familjeve banorë të të njëjtit fshat. 17-vjeçarja A.P. e kishte bërë mendjen top për largimin nga shtëpia, në shenjë proteste ndaj jetës që bënte brenda katër mureve, si dhe marrëdhënieve me njerkën e saj. Kur orët kalonin njëra pas tjetrës dhe prindërit nuk kanë mundur ta gjejnë asgjëkund, ata nuk kanë preferuar të trokasin në derën e uniformave blu, por te fqinjët e tyre duke akuzuar drejtpërdrejt djalin e tyre për rrëmbimin e madje trafikimin e saj. Kaq ka mjaftuar që dy familjet të përfshihen në konflikt dhe ka qenë ndërhyrja e policisë ajo që ka shmangur një ngjarje të rëndë. Menjëherë sapo kanë mbërritur në zonën e sherrit uniformat blu kanë shoqëruar për në ambientet e Komisariatit Nr.6 të dyja familjet, të cilat e kanë vazhduar debatin me tone të forta edhe atje. Drejtuesi i bluve të Kamzës ka ndërhyrë mes tyre duke iu thënë se vartësit e tij po e kërkonin gjithandej vajzën dhe se ishin shumë pranë gjetjes së saj. Ajo kishte marrë në pyetje personin e fundit me të cilin kishte folur në celular vajza, por ai nuk kishte asnjë lidhje me të e madje nuk e njihte fare. Të nesërmen inspektorët e rendit e kanë gjetur vajzën në një hotel buzë rrugës nacionale dhe e sollën atë në komisariat për të dhënë shpjegime. E mitura ka deklaruar se fqinji nuk kishte gisht në largimin e saj dhe po ashtu personi i telefonuar ishte i panjohur për të. Vajza 17-vjeçare ka treguar edhe arsyet e largimit që lidheshin thjesht me të afërmit e saj. Kjo u ka mjaftuar dy familjeve që të bëjnë paqe dhe madje akuzuesit t’u kërkojnë ndjesë fqinjëve për shqetësimin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›