Bujku pret këmbën duke punuar tokën
Një bujk nga rrethi i Devollit ka mbetur i aksidentuar rëndë gjatë punës, pasi mjeti me të cilin po punonte tokën i ka prerë këmbën. Lulëzim Koroli 43 vjeç, nga fshati Vranisht i Devollit është aksidentuar ndërsa po kryente shërbimet e kulturave bujqësore të mbjella në tokën e tij. Paraditen e së enjtes ai ka shkuar në tokën e tij shumë pranë fshatit Vranisht dhe aty ka filluar të punojë me frezë për shkriftimin e tokës pas reshjeve të shiut të ditëve të fundit. Në një moment, 43-vjeçari ka ndërhyrë për të rregulluar diçka në frezë, por makineria, duke qenë në lëvizje i ka prerë pjesën e poshtme të këmbës. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka humbur shumë gjak nga prerja e këmbës. Megjithatë, mjekët thanë se i plagosuri nuk rrezikon jetën.
#