E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri i këngëtareve Radi e Shkurti, Akuza pyet nipin e Enver Hoxhës

24/12/2010  Ermal Hoxha mbron në prokurori këngëtaren Rezarta Shkurti. U vetëmbrojt!

TIRANE- Sherri mes këngëtareve Rezarta Shkurta dhe Rozana Radi ka çuar si dëshmitar në prokurorinë e Tiranës edhe nipin e diktatorit Enver Hoxha, shtetasin Ermal Hoxha. Ky i fundit është bashkëshorti i këngëtares Rezarta Shkurta dhe mbrëmjen e ndodhjes së përplasjes fizike mes dy këngëtareve ai ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes. Për të sqaruar rrethanat e sherrit, prokuroria e Tiranës kë marrë në pyetje tri ditë më parë Ermal Hoxhën, duke i kërkuar të tregonte në detaje zënkën mes gruas së tij dhe këngëtares Rozana Radi. Para prokurorit Hoxha ka dhënë shpjegime, duke mbrojtur shtetasen Shkurta, me pretendimin se kjo e fundit e ka qëlluar Radin aksidentalisht për t’u mbrojtur. Në dëshminë e tij Ermal Hoxha sqaron se ngjarja ka ndodhur pas orëve të mesnatës, ku dy këngëtaret dhe ai janë takuar për t’u sqaruar në afërsi të Liqenit Artificial në kryeqytet, pasi kishin disa probleme për të paqarta. Hoxha ka shtuar se menjëherë sapo ka zbritur nga makina këngëtarja Rozana Radi është drejtuar me vrull në drejtim të bashkëshortes së tij Rezarta Shkurta. Sipas tij, kjo e fundit, nga frika se mos binte viktimë e sulmit fizik të Radit, ka ngritur duar lart dhe e ka qëlluar me dorë në njërin sy. Goditja ka ardhur edhe për shkak të trupit të shkurtës të këngëtares Radi, e cila, sipas tij, në tentativë për të qëlluar Shkurtën, është përplasur me kokë në duart e bashkëshortes së tij. Dëshmitari u shpreh se menjëherë pas goditjes janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe të nesërmen kanë depozituar në policinë e Tiranës një denoncim kundër këngëtares Rozana Radi. Mësohet se në fund të dëshmisë nipi i Enver Hoxhës, Ermal Hoxha, ka kërkuar nga prokuroria e Tiranës që të pushojë hetimet ndaj bashkëshortes së tij, pasi gjithçka është kryer për vetëmbrojtje. Pritet që në ditët në vazhdim grupi hetimor do të zhvillojë një analizë mbi provat e mbledhura dhe më pas do të vendoset nëse çështja e sherrit mes dy këngëtareve do të pushohet apo ajo do t’i dërgohet gjykatës me një të pandehur konkrete.

Dëshmia e këngëtares

Radi: Rezarta më qëlloi në sy

Dy ditë më parë në prokurorinë e Tiranës ka dëshmuar këngëtarja Rozana Radi, e cila nga sherri që zhvilloi me Rezarta Shkurtën mbeti me një frakturë të rëndë në sy. Radi është shprehur se ajo nuk ka ndërmarrë asnjë sulm ndaj Shkurtës, përkundrazi, kjo e fundit e ka sulmuar atë sapo ka zbritur nga makina. Aktualisht në dosjen e prokurorisë ndodhet akti i ekspertimit mjekoligjor, që tregon dëmet e shkaktuara në syrin e Radit.

Rezarta Shkurta

E thirrur në prokurori për të dhënë sqarime, këngëtarja Rezarta Shkurta ka mohuar ta ketë goditur qëllimisht kolegen e saj Rozana Radi. Shkurta u ka thënë prokurorëve se ajo është trembur nga sulmi i shpejtë i këngëtares Radi dhe për pasojë ka ngritur duart për t’u vetëmbrojtur. Nga ky veprim Radi ka marrë një goditje të fortë në syrin e djathtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›