Sheshel dënohet për zbulimin e dëshmitarëve të mbrojtur

Gjykata për Krime lufte në ish Jugosllavi e ka dënuar ultranacionalistin serb, Vojisllav Sheshel me dy vjet burg, pasi ka refuzuar të heqë informacionet nga faqja e tij e internetit, me të cilat zbulonte identitetin e dëshmitarëve, të cilëve gjykata u kishte siguruar anonimitetin.
Kjo është hera e tretë që Sheshel dënohet për shpërfillje, që kur është dorëzuar në gjykatën e OKB-së në Hagë në vitin 2003 për t`u përballur me akuza për nxitje të mizorive serbe në luftërat ballkanike të fillim viteve të 90.
Në rastin kryesor kundër tij, prokurorët kërkojnë që ai të dënohet me 28 vjet burg. Gjyqi i tij filloi në vitin 2007, ndërsa vendimi pritet të jepet në mars të 2013-ës.