Sheshi qendror në Tiranë duhet të konservojë historinë e re, si një identitet mbarëkombëtar
Sheshet qendrore si hapësira publike të përbashkëta në demokraci duhej të ishin vende ku artikulohen konfliktet e mundshme të mendimeve, kundërvihen tendencat për identitet urban, shfaqen pakënaqësitë e ndryshme sociale e politike, vende ku në thelb sprovohet demokracia e brishtë e shoqërisë. AI duhet të shërbejë si dhoma e ditës së kryeqytetit, si hapësira e shoqërimit dhe e qëndrimit, vend me atributet e një teatri të hapur ku njerëzit shkojnë me dëshirë për aktivitete të ndryshme. Si hapësirë publike me shumë specifika origjinale, ai prezanton karakterin e shoqërisë. Sheshet janë hapësira ku identitetet e ndryshme provinciale ballafaqohen dhe ripërcaktohen, modernizohen me fjalë të tjera. Sheshi qendror mundëson që klasa politike të krijojë identitetin e vet, e ndihmuar nga arkitektët, urbanistët e të tjerë faktorë që i projektojnë ato hapësira publike, ku elementi i kujtesës publike mbetet shumë i rëndësishëm. Në shoqëri të qëndrueshme me ndërtimin apo adoptimin e sheshit qendror të kryeqytetit, më së miri njihen marrëdhëniet midis autoriteteve të qytetit në drejtim të qendrës së ngushtë të tij dhe periferisë, aty njihen klasat shoqërore, të cilat në kohëra të trazuara tregojnë vlerat e tyre të diskutueshme, që në të ardhmen gjeneratat e reja të dinë identitetin e tyre urban. Po i përcjell me vëmendje polemikat për sheshin qendror “Skënderbej” në Tiranë. Ka shumë kundërthënie, më shumë politike sesa profesionale në qasjen e kësaj problematike, e cila është shumë e rëndësishme për Tiranën dhe tërë Shqipërinë. Elementi kryesor që konsiston në ruajtjen e dimensionit human, ku banorët dhe vizitorët (turistët) e kryeqytetit shqiptar do të përjetojnë sheshin si një të mirë të të gjithëve, domosdo duhet respektuar. është një histori e gjatë për këtë shesh ku janë të involvuara që nga viti 1920 projektuesit urbanë italianë, francezë e së fundmi edhe belgë, qyshkur në vitin 2008 një studio belge e fitoi konkursin ndërkombëtar për rregullimin e kryesheshit të Tiranës. Asgjë të keqe nuk po shoh në këto konfrontime, polemika të dëshiruara konstruktive e të gjithë specialistëve, arkitektëve, urbanistëve përkundër temperamentit eksploziv shqiptar, i cili nganjëherë është i pakuptueshëm. Ka probleme të shumta për zvogëlimin e sheshit, trafikut, hapësirave të gjelbëruara e të uzurpuara publike për ndërtime, por ato me bashkëpunim duhen zgjidhur. Ka dyshime të profesionistëve të ndryshëm për veprimet e pakoordinuara në mes pushtetit qendror dhe atij lokal, por ato domosdo duhen tejkaluar nëse dëshirojmë të respektojmë një jetë normale të banorëve të kryeqytetit shqiptar. Besoj se nga këto polemika Tirana do të fitojë një kualitet të ri urban, të cilin do ta gëzojnë të gjithë banorët e saj dhe gjeneratat e ardhshme. Domosdo duhet të dihen kompetencat e pushtetit qendror dhe atij lokal, pa marrë parasysh përkatësitë partiake të tyre, kështu veprohet në tërë botën. Qëllimi kryesor dhe fisnik është që të gjithë banorët e Tiranës si dhe vizitorët vendorë dhe të huaj të kenë së paku rehati shpirtërore kur shfrytëzojnë sheshin kryesor të kryeqytetit. Prioritet duhet të kenë këmbësorët pa cenuar aspak trafikun dhe funksionimin e sheshit në rrethanat e reja të ekonomisë së tregut, pa cenuar rëndësinë dhe identitetin urban të cilin e ka krijuar gjatë historisë së re të Shqipërisë sheshi “Skënderbej” në Tironë (kështu e emërtojnë banorët e vjetër qytetin e tyre). Ajo që ma së shumti më shqetëson mua personalisht si profesionist, është se si trajtohet kjo problematikë në Kosovë, në Prishtinë, e cila as që ka shesh qendror për ta trajtuar. Në mungesë të një kulture elementare urbane kemi një trajtim të ēuditshëm të qendrës së kryeqytetit kosovar. Ky qytet ka një rritje të pakontrolluar urbane si rezultat i lëvizjeve demografike të popullsisë pas vitit 1999, e cila shpëtimin për një jetë më të mirë e ka kërkuar në kryeqytetin e Kosovës, ēka është gabim i madh me pasoja të rënda urbane. Disa herë janë publikuar tenderat për tre “sheshet” m’u në rrugën qendrore të kryeqytetit, thua se ajo nuk duhet të ishte një tërësi urbane e studiuar mirë në një konkurs ndërkombëtar, me ē’rast do të fitohej një zgjidhje e dëshiruar. Si është e mundur të kemi sheshin Adem Jashari, Zahir Pajaziti e së fundit përsëritja e tenderit pas shumë “tentimeve” për Sheshin e Pavarësisë (Ibrahim Rugova) kur aty ekzistojnë edhe përmendoret e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës. Do të duhej të inkorporohen të gjitha këto simbole (përmendore) në një tërësi urbane të cilën e kemi trashëguar si një rrugë të kryeqytetit, duke vlerësuar kreativitetin e projektuesve arkitektonikë dhe urbanë. Vetëm analizoni kushtet e tenderit të fundit, në shkurt 2010, për projektin ideor urbanistik-arkitektonik “Integrimi urban-Sheshi i Pavarësisë “Ibrahim Rugova”, të ofruara nga ana e komunës me disa shpërblime për pjesëmarrësit në konkurs – arkitektët, urbanistët dhe të tjerët, ku ishte shtuar një vërejtje se propozuesi i zgjedhjes ideore që do të shpërblehet me dhënien e kontratës e humb të drejtën në shpërblim..., kjo tregon se si trajtohet kjo problematikë në Kosovë nga vendimmarrësit e kryeqytetit. Nuk zgjidhen këto ēështje të rëndësishme urbane me “tendera” për projektim siē ka vepruar Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik. Tek e fundit qendra e Prishtinës është e tërë Kosovës, sepse në tërë botën praktikohen konkurse ndërkombëtare të projektimit për këso rastesh. Zotëri vendimmarrës komunal vetëdijesohuni dhe korrigjohuni, veproni ashtu siē është praktika ndërkombëtare. Kthimin e rrugës “Nëna Terezë” në shëtitore këmbësorësh e kanë përkrahur të gjithë dashamirët e qytetit. Më parë duhej të bëheshin përgatitjet profesionale urbane, pasi Prishtina ka kapacitete të tilla të gërshetuara në numrin e madh të arkitektëve dhe profileve tjera që me punë të përkushtuar do të kontribuonin për qendrën e kryeqytetit. Ka shumë mundësi teknike dhe financiare për të përthekuar këtë problematikë me studime dhe analiza urbane të mirëfillta e jo të krijohet kaos në komunikacion si është gjendja momentale në Prishtinë. Projektimi i “Sheshit të Pavarësisë”, është një ndërmarrje shumë e rëndësishme dhe ndoshta bartëse duhej të ishte Kuvendi i Republikës së Kosovës! Natyrisht edhe kontributi i shoqërisë civile është i domosdoshëm dhe i mirëseardhur. Identiteti urban i shesheve është shumë i rëndësishëm në kujtesën historike të një populli. Nëse veprohet ndryshe atëherë do të kemi hapësira publike të privatizuara e tendenca të tilla ka në tërë Kosovën e posaēërisht në Prishtinë, e siē po duket edhe në Tiranë. Ky është një handikap për tërë shoqërinë shqiptare, pasi sheshet qendrore të kryeqyteteve nuk duhet të jenë më vetëm simbole të rëndësisë urbane, por edhe të rëndësisë kombëtare, ideologjike, ekonomike, politike, emocionale e personale. Këto qasje gjithsesi duhet korrigjuar nëse dëshirojmë të jemi pjesë e botës përparimtare.
...