Shevçenko: Shqipëria kundërshtar problematik

09/02/2005 Andrij Shevçenko ka qenë i pari, që ka shkelur në tokën shqiptare. Sulmuesi i Ukrainës që aktivizohet në radhët e Milanit, ka ardhur me një avion çarter, të vënë në dispozicion nga klubi i tij dhe në intervistën e parë për shtyp është shprehur se, Shqipëria është një kundërshtar me të vërtetë shumë i fortë. “Mund të them se kjo ndeshje do të jetë shumë e vështirë për skuadrën tonë, pasi përballë do të gjejmë një kundërshtar po aq të fortë. Nuk mund të them se e njohim shumë mirë kundërshtarin, por e dimë shumë mirë që kundërshtarët tanë të radhës, janë një skuadër shumë e rrezikshme e që synojnë maksimumin, jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në sfidat e tjera të grupit”. Futbollisti duket se do të ishte i kënaqur, po të dilte edhe me një pikë nga “Qemal Stafa”. “Normalisht që ne në çdo ndeshje, hyjmë në fushën e lojës, me qëllimin për të fituar. Megjithatë, do të thoja se në njëfarë mënyre, në përfundim të kësaj sfide, do të ishim të kënaqur edhe me një barazim. E them diçka të tillë, pasi marr në konsideratë faktin, që do të luajmë përballë një kundërshtari me të vërtetë shumë të fortë dhe mbi të gjitha, në fushën e këtij të fundit. Unë mendoj se, Shqipëria është një skuadër si Ukraina, një skuadër e re dhe rrjedhimisht do të thoja se, është një skuadër e rrezikshme”, vijon më tej fituesi i “Topit të Artë”. “Megjithatë për Ukrainën, një fitore në Tiranë do të ishte me shumë vlera. Aktualisht, ne jemi në kuotën e 11-të pikëve e në rast të një fitoreje, do të arrinim ta rrisnim ndjeshëm diferencën me ndjekëset tona më të afërta. Megjithatë, le të shohim se çfarë do të ndoshë në fushën e lojës. Ne nuk vijmë në këtë ndeshje, të detyruar për të marrë tri pikët. Kemi edhe shumë ndeshje të tjera për të luajtur e një pjesë të tyre në fushën tonë, ku unë besoj se do të arrijmë të fitojmë. Megjithatë, duhet pranuar edhe fakti që grupi ynë është me të vërtetë i fortë. Janë shumë skuadra që pretendojnë e mund të them se, çdo pikë e fituar apo e humbur ka shumë vlera”. Ndërkohë, ashtu siç dihet, sulmuesi ka qenë i dëmtuar në këtë periudhë e ndoshta nuk është në 100% të formës së tij, para kësaj ndeshjeje. “Nuk mund të jap ende një përgjigjje të saktë, në lidhje me këtë ndeshje. Unë mund të them vetëm se, do të provohem edhe në ditën e ndeshjes për të thënë, nëse jam në kondicionin tim më të mirë. Në ndeshjen e fundit kundër Lacios, kam luajtur dhe nuk kam ndjerë dhembje. Shpresoj që të arrij të luaj edhe në këtë ndeshje pa probleme”, përfundon sulmuesi kryesor i Ukrainës, Andrij Shevçenko