E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfaqen fajdet dhe në Kosovë, arrestohen 6 vetë

Policia e Kosovës ka arrestuar 6 persona pasi dyshohen se janë përfshirë në fenomenin e fajdeve në shtetin më të ri të botës. Kjo është bërë e ditur sot nga Policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi zyrtar. Dukuria e fajdeve lulëzonte prej dy vitesh ne shtetin e Kosovës, ndërkohë që hetimet kishin filluar dy muaj më parë nga një denoncim i një qytetari nga Prishtina. Të arrestuarit janë Dalip Sopjani, Hashim Sopjani, Vehbi Demolli, Arton Demolli, Bashkim Sadikun dhe Nuhi Sopin. 

PRISHTINË - Fshaqet fenomeni i fajdeve në shtetin e ri të Kosovës. Policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për shtyp bëri publik sot lajmin se 6 persona janë arrestuar nën akuzën e “Kontraktimit të Përfitimit Joproporcional (fajde)” mbështetur në nenin 270 dhe Detyrim nga neni 267 i Kodit të Procedurës Penale. Të arrestuarit janë Dalip Sopjani, Hashim Sopjani, Vehbi Demolli, Arton Demolli, Bashkim Sadikun dhe Nuhi Sopin. Hetimet kishin filluar dy muaj më parë nga një denoncim i një qytetari nga Prishtina.
Policia menjëherë kishte filluar hetimet dhe me 17 tetor 2008 kishte arrestuar Dalip Sopjanin 27 vjec nga Prishtina dhe kishte shoqëruar për në polici babanë e tij, Hashim Sopjanin, 54 vjec po nga Prishtina. Këta dy persona ishin arrestuar në shtëpinë e denoncuesit tek i cili kishin shkuar për të kërkuar paratë.
Në njoftim më tej thuhet se me 20 tetor 2008 janë arrestuar edhe Vehbi Demolli dhe Arton Demolli, ndërsa me 21 tetor 2008 është arrestuar edhe i dyshimti Bashkim Sadiku, pjesëtar i Policisë së Kosovës, me gradën rreshter dhe punonjës në Operativën Rajonale të Prishtinës.
Po ashtu në kallëzim penal është i përfshirë edhe i dyshuari i gjashtë në këtë rast, Nuhi Sopi. Dyshohet se viktima kishte pranuar para nga të dyshuarit dhe që nga viti 2007 e deri më tani shumat së bashku me interesin kishin arritur përafërsisht në 500 mijë euro.
Dukuria e Fajdeve është një dukuri e cila nuk është e re por ka qenë prezente në Kosovë edhe para luftës. Në këtë dukuri, përkatësisht në dhënien e fajdeve, janë përfshirë njerëzit që kanë para të cilat janë të fituara në mënyrë të kundërligjshme apo nga ato mjete fitohen të hyra jo të ligjshme.
Sipas njoftimit të policisë dukuria e fajdeve lulëzonte prej dy vitesh dhe policisë i janë dashur rreth një muaj kohë për të mbledhur provat që do çonin në ndalimin e katër të dyshimtëve dhe në ngritjen e kallëzimit penal për gjashtë persona.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›