E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shfryrja e Ferguson: Jeni një tufë idiotësh!

ANGLI- Aleks Ferguson duket se është tradhtuar nga nervat edhe pas derbit të humbur 6-1 me Mançester Sitin. Sipas asaj që bën të ditur "Daily Mail", tekniku i Mançester Junajtid ka qenë tepër i xhindosur në dhomat e zhveshjes, duke u kujtuar të gjithëve episodin me Devid Bekham pak vjet më parë. Skocezi nuk ka kursyer asgjë ndaj lojtarëve të tij, që i dhuruan ndoshta poshtërimin më të madh në karrierën e tij si trajner.

Nën akuzë kanë përfunduar senatorët e skuadrës, në veçanti Evra e Rio Ferdinand, fajtorë që nuk kanë vendosur eksperiencën e tyre në ndihmë të skuadrës në një ditë shumë të vështirë. Shprehja "Jeni një tufë idiotësh" ka dalë disa herë nga goja e Sër Aleks. Si rrjedhojë e kësaj, dy lojtarët nuk kanë luajtur në ndeshjen e Kupës së Ligës ndaj Aldershotit, që "Djajtë e Kuq" e fituan mbrëmë 3-0, falë golave të Berbatov, Majkëll Ouen e Antonio Valencias.

Ndërkohë, mbrojtësit rrezikojnë të mos luajnë as në ndeshjen e fundjavës kundër Evertonit. Ndërsa Nemanja Vidiç, që ishte në pankinë në ndeshjen me Sitin, mbrëmë është rikthyer titullar. Ndërkaq, duke parë problemet e Junajtid përballë ekipit të Mançinit, Ferguson ka nisur të mendojë për merkaton e janarit, duke synuar të marrë Uesli Shnajder nga Interi.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›