Shi në fundjavë, ulen temperaturat
Moti
Edhe ditët e ardhshme do të na shoqërojë paqëndrueshmëria. Fundjava do të karakterizohet nga vranësirat e çrregullta, reshjet e shiut, ndërsa në zonat malore do të rikthehen reshjet e dëborës. Shërbimi Meteorologjik i Ushtrisë njofton se masat ajrore në qarkullim janë relativisht të lagështa dhe të ftohta. E hëna dhe e marta, të shoqëruara hera-herës me vranësira të çrregullta, do të sjellin një stabilizim të kushteve atmosferike. Por nuk do të zgjasë shumë ky përmirësim, pasi mesjava sjell një front të ri, i shoqëruar me reshje dhe zbritje temperaturash. Era nuk përbën karakteristikë të veçantë për gjithë këto ditë. Shpejtësia e saj nuk do t'i kalojë 10 metra për sekondë, ndërsa valëzimi në det pritet të shkojë deri në 5 ballë.