E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhoni Athanas, njeriu që solli në skenë Skënderbeun

Në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dje u promovua libri Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti. Një libër i trajtuar në një vëllim publicistik nga gazetari Anxhelo Xhaçka. Në këtë aktivitet u sollën edhe një herë në kujtesën e të gjithëve nëpërmjet fotove, filmimeve, këngëve e kujtimeve, vitet e karrierës së shkëlqyer të mjaft artistëve veteranë, mes të cilëve bën pjesë edhe tenori dramatik Xhoni Athanas. Në repertorin e tij, ndeshesh me një botë të madhe shpirtërore, me lirikën e dramatikën e tenorit që shtrihet në dhjetëra role e varion në qindra shfaqje, e disa role, si ai i Dodës te Mrika, i Sazanit te Pranvera, i Dhimitrit te Lulja e Kujtimit, kuestorin e Heroinës apo Bash Murgjinin e Boranës, për të vijuar me Shonarin, djaloshin aristokrat Edvini, Don Bazilion, etj. Por, i fiksuar në kujtesën e të gjithëve është Skënderbeu i Prenk Jakovës, rol i cili e ngriti tenorin dramatik në piedestalin e arritjeve të tij artistike, pasi ai diti të krijojë një figurë të Gjergj Kastriotit. E gjithë karriera e tij është trajtuar në stilin publicistik të gazetarit Anxhelo Xhaçka dhe e përmbledhur në librin Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti. Vlerat artistike të tenorit të shquar shqiptar vihen në dukje prej të gjithë të pranishmëve. Me vlerësim dhe konsideratë për këtë artist, Zhani Ciko thekson se: tek Xhoni vlerësoj mishërimin në skenën tonë të rolit të Gjergj Kastriotit, të cilin kompozitori Preng Jakova dhe libretisti Llazar Siliqi e menduan që në fillim dhe e realizuan për të. Ishte fat që u ndodh një tenor me zë burrëror, figurë dhe forcë emocionale për kryerolin e historisë kombëtare. Xhoni Athanasi ka lindur në Brokton të Masaçusets, më 4 nëntor të vitit 1925. Ai  e kaloi fëmijërinë e tij në fshatin Grapsh të Devollit, por talenti që ra menjëherë në sy e detyroi djaloshin të zbriste në qytetin e Korçës. Leksionet e para tenori i ardhshëm i mori nga profesori i muzikës Spiro Konda, përvojë e cila u thellua më tej gjatë pjesëmarrjes me grupin Lira dhe njohjen me kompozitorin Kristo Kono. Në vitin 1949, Xhoni e la Korçën për tiu bashkëngjitur Korit të Ushtrisë së krijuar nga Gaqo Avrazi, i cili me personalitetin dhe autoritetin e tij, grumbulloi rreth vetes artistët më të mirë të vendit. Studimet e larta ai i ka kryer në konservatorin Çajkovski në Moskë. Më pas në vitin 1957 ai kthehet në Tiranë ku bashkohet me trupën e interpretuesve të Teatrit të Operës dhe Baletit. Xhoni Athanasi ka interpretuar një sërë rolesh të rëndësishme. Por gjithmonë ai do të mbahet mend si Skënderbeu i Preng Jakovës, krahas veprave të tjera të shumta. Artisti aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me familjen e tij, ku u vendos pas viteve 90.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›