E Diel, 1 Nëntor 2026

Shifrat e zeza të rrugëve, një i vdekur në çdo 30 orë

Përgjaken sërish rrugët e vendit. Një tjetër aksident i rëndë rrugor është shënuar mëngjesin e djeshëm në aksin nacional Lezhë-Shkodër. Një makinë, ku udhëtonin 4 persona nga e njëjta familje, është përplasur me një kamion dhe për pasojë kanë gjetur vdekjen tre persona dhe tre të tjerë janë plagosur rëndë. Të lënduarit ndodhen në spitalin e Lezhës, nën kujdes mjekësor, por gjendja e tyre vazhdon të jetë problematike. Burime zyrtare nga policia e Lezhës bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 09:15 të mëngjesit të djeshëm. Të njëjtat burime referojnë se një makinë tip "Benz" me ngjyrë të bardhë, me targa BC0318D, është përplasur me një kamion me targa TR8470B, në dalje të Lezhës, në drejtim të Shkodrës. Viktimat janë pjesëtarë të së njëjtës familje dhe mësohet se janë Ermira Dema 25 vjeçe, Sali Dema, i cili është vjehrri i Ermirës dhe Fadil Dema, i afërm i tyre, të gjithë banorë të Bajram Currit. Ndërkaq, mësohet se kanë mbetur të plagosur Ermal Dema, i cili është bashkëshorti i viktimës 25-vjeçare dhe njëkohësisht ishte dhe drejtuesi i "Benz"-it të aksidentuar, si dhe drejtuesi i kamionit, Baftjar Vladi. Fillimisht policia ka dyshuar se veç 5 të aksidentuarve ishte dhe një viktimë e katërt, që mund të ishte fëmijë, i cili kishte qenë në makinën e përfshirë në aksident. Por, pas verifikimeve të kryera është mësuar se në aksident ishte përfshirë një 15-vjeçar që është gjendur rastësisht në momentin kur ka ndodhur përplasja e dy automjeteve. Automjeti ku ndodheshin viktimat ka qenë mjaft i dëmtuar, dhe kjo e ka bërë të vështirë nxjerrjen e trupave. Rrugorët kanë kërkuar ndërhyrje të specializuar për nxjerrjen e trupave të viktimave të aksidentit. Të plagosurit janë dërguar urgjentisht për në spitalin e qytetit të Lezhës, ku i janë nënshtruar kujdesit të bluzave të bardha. Ndërkohë, policia po punon për të përcaktuar shkaqet e këtij aksidenti të rëndë, por mendohet që shkak të jetë bërë një manovër e gabuar e drejtuesit të mjetit që udhëtonte nga Bajram Curri. Ky është aksidenti i dytë brenda 24 orësh në autostradën e Veriut. Kujtojmë që mëngjesin e së mërkurës, një aksident i rëndë automobilistik me pasojë vdekjen e tre personave ndodhi në aksin rrugor Shkodër-Velipojë. Viktimat, të afërm me njëri-tjetrin, ktheheshin nga plazhi i Velipojës për në Shkodër, pasi e kishin kaluar darkën nën shoqërinë e miqve të tyre. Automjeti me të cilin udhëtonin devijoi nga rruga dhe ra në kanal, duke shkaktuar vdekjen e shoferit dhe dy bashkudhëtarëve të tij. Viktimat janë gjetur disa orë pas ndodhjes së aksidentit nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë njoftuar policinë. Aksidentet e rënda kanë shënuar një bilanc tragjik vdekjesh. Brenda 5 ditësh, në akset nacionale të Shqipërisë kanë ndodhur 13 aksidente, për pasojë 17 persona kanë gjetur vdekjen, ndërkohë që 32 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Tiranë

Përplasen me motor,

plagosen dy të rinj

Dy të plagosur janë shënuar nga një aksident rrugor pasditen e djeshme në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 te Shkolla e Bashkuar, kur dy të rinj kanë qenë duke udhëtuar me një motor dhe janë përplasur me një mjet të parkuar pranë trotuarit. Burimet policore bënë të ditur se shërbimet e policisë kanë mbërritur në vendngjarje menjëherë pas marrjes së njoftimit për këtë ngjarje. Nga të dhënat e para hetimore është mësuar se në motorin me targë TR699G udhëtonte Gentian Kola dhe një i ri tjetër. Ata janë përplasur me mjetin me targa TR5581S. Menjëherë janë dërguar në spital dhe sipas të dhënave ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Milot

Përplasen automjetet, katër të plagosur

Një tjetër aksident rrugor ka ndodhur pasditen e djeshme në autostradën e Veriut. Vetëm disa orë pas përplasjes së dy automjeteve ku mbetën të vdekur tre persona dhe u plagosën tre të tjerë, katër automjete janë përfshirë në një përplasje në ndodhur në aksin nacional Lezhë-Milot. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur "Ura e Milotit" dhe për pasojë janë plagosur 4 persona, tre prej të cilëve nga e njëjta familje. Mësohet se të lënduarit janë: Myfarete, Drinalda dhe Naim Xhafa, pjesëtarë të së njëjtës familje dhe Reshit Ulaj. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë rrugore, të cilët kanë bërë të mundur transportimin e katër të lënduarve drejt spitalit të Lezhës. Mësohet se ata janë vënë menjëherë nën kujdesin mjekësor të bluzave të bardha të qytetit bregdetar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Plagët janë të lehta dhe nuk paraqesin rrezikshmëri për jetën e tyre. Ndërkohë, policia është duke hetuar rreth shkaqeve të aksidentit.

Durrës

Të lënduarit në spital, jashtë rrezikut për jetën. Mes tyre dy motra

Dy aksidente, katër persona të plagosur

Masat e shumta administrative ndaj drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor nuk e kanë ulur numrin e shkelësve dhe provokuesve të aksidenteve. Një aksident me 2 të plagosur ka ndodhur në Durrës, ndërsa një tjetër në Rrethin e Kavajës, pasditen e së premtes, ku mbetën të plagosura 2 motra. Mbrëmjen e vonë të së enjtes, rreth orës 19:15, në vendin e quajtur Kodër Arapaj në aksin rrugor Durrës-Tiranë janë përplasur dy automjete. Mjetet e përfshira në aksident janë automjeti tip "BMV" me targa të huaja, BJ599JW, me drejtues Astrit Meman 34 vjeç nga fshati Shkallur dhe automjeti tip "Ford", me targa të huaja SAD045145, me drejtues 27-vjeçarin Alfred Bardhi nga Tirana. Si pasojë e kësaj përplasjeje kanë marrë dëmtime të dy drejtuesit e mjeteve. Alfred Bardhi, pasi ka marrë ndihmën mjekësore, është larguar nga spitali, ndërsa Astrit Mema vazhdon të jetë i shtruar në spitalin e Durrësit, pasi gjendja e tij është më e rëndë, por sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. Shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe parakalimi i gabuar nga ana e drejtuesit të "BMV"-së Astrit Mema, ndaj të cilit ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkaq, pasditen e së premtes një tjetër aksident për shkak të një parakalimi të gabuar të një "BMV"-je me të cilën udhëtonin 3 të rinj ka çuar në përplasjen e saj me një automjet tip "Fiat", në të cilin udhëtonin 2 motra dhe një burrë. Burime të policisë rrugore bënë të ditur se si rezultat i përplasjes kanë mbetur të plagosura dy të rejat që ndodheshin në makinën tip "Fiat", të cilat janë dërguar në spitalin e Durrësit për mjekim.

Hungari

Vdesin në aksident dy kosovarë

Dy shtetas kosovarë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në Hungari. Lajmi është publikuar nga mediat kosovare, të cilat kanë referuar se viktimat janë Hilmi Rama, 37 vjeç nga Obiliqi dhe Hasan Berisha, 43 vjeç nga Podujeva. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të qytetit Segedinas. Burimet shtojnë më tej se nga i njëjti aksident, një tjetër kosovar mbeti i plagosur rëndë dhe aktualisht ndodhet nën trajtim mjekësor, por identiteti i tij ende nuk është bërë i njohur. Ai është operuar në spitalin e Segedinas, mirëpo gjendja e tij shëndetësore vazhdon të jetë e rëndë. Të tre të aksidentuarit kanë qenë në një minibus me targa austriake. Aksidenti ka ndodhur pasi minibusi austriak ka goditur një minibus hungarez, i cili ishte i ndalur për shkak të një defekti. Ndërkohë, dy persona që udhëtonin në automjetin hungarez, kanë pësuar lëndime të lehta.

Peqin

Vdes një i ri, plagosen katër të tjerë

Një aksident i rëndë automobilistik me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Peqinit. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes në Unazën e qytetit të Peqinit, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin. Makinat e aksidentuara kanë qenë një "Golf" me targa të Vlorës, VL5584C, dhe një "Reno" me targa të huaja, INE5408. 4 të plagosurit e këtij aksidenti tragjik janë dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Elbasanit për të marrë ndihmën e parë. Burimet spitalore bëjnë të ditur se Avni Xhepi, njëri prej 4 të plagosurve, është dërguar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi paraqitet në gjendje kritike për jetën.

Policia ka bërë të mundur identifikimin e viktimës, i cili është 31-vjeçari Besnik Omeri. 31-vjeçari Omeri drejtonte makinën tip "Golf" me targa VL5584C. Ndërkohë, policia po kryen hetimet e nevojshme për të zbardhur shkakun e këtij aksidenti tragjik, që i kushtoi jetën një personi dhe 4 të tjerë mbetën të plagosur rëndë.

Berat

Rrugorët gjobisin 4300 drejtues automjetesh

Rrugorët e Beratit "zhdëpin" në gjoba drejtuesit e automjeteve që kapen me shkelje në dokumentacion, dhe që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Burime të drejtorisë së policisë konfirmojnë se nisur nga numri i shtuar i aksidenteve me pasojë vdekje të ditëve të fundit, sektori i qarkullimit rrugor pranë kësaj drejtorie ka intensifikuar kontrollet e automjeteve që qarkullojnë në rrugët e Qarkut të Beratit. Çdo ditë, në tre komisariatet e këtij qarku veprojnë 5 postblloqe të përhershme dhe po kaq të përkohshëm, duke kaluar në filtër të gjitha automjetet të cilat lëvizin në rrugët që përshkojnë pesë qytetet e këtij qarku. Kontrollet konsistojnë në pajisjen me dokumentacionin e plotë të drejtimit të automjeteve nga drejtuesit e mjeteve, përdorimin e pijeve alkoolike, lëvizjen me shpejtësi tej normave të lejueshme, respektimin e rregullave të qarkullimit dhe sinjalistikës rrugore, me qëllim shmangien e aksidenteve me pajojë vdekjen e njerëzve. Shefi i policisë rrugore të Komisariatit të Beratit, Fadil Shehu, konfirmon se gjatë këtyre ditëve janë kontrolluar mbi 30 mijë automjete, ku janë gjetur shkelje të ndryshme dhe janë marrë masa disiplinore për 4300 drejtues automjetesh, me gjoba nga 5-10 mijë lekë. Vlera totale e gjobave të vëna shkon në mbi 3 milionë e 200 mijë lekë. Krahas tyre janë bllokuar mbi 37 mjete dhe janë pezulluar mbi 42 leje drejtimi. Shefi i sektorit të qarkullimit tregon se gjatë këtij tremujori ka pasur 12 aksidente rrugore, nga të cilët ka pasur 2 të vdekur dhe 10 të plagosur rëndë.

Policia, Task Forcë për kontrollin e shoferëve

Epidemia e aksidenteve rrugore, që
këtë vit është shtuar duke sjellë shifra
tragjike, ka bërë që policia shqiptare të
ngrejë Task Forcë, me qëllim parandalimin
e tyre. Dje, Policia e Shtetit deklaroi
zyrtarisht se duke u nisur nga situata e
krijuar në vend nga aksidentet rrugore
gjatë periudhës së sezonit turistik, si dhe
nga disa aksidente të rënda të ndodhura
ditët e fundit, me gjithë masat e marra
nga policia, situata mbetet shqetësuese.
Kështu, policia rrugore prej disa ditësh
ka kaluar në shërbim të përforcuar, duke
shtuar prezencën e saj në akset rrugore, e
mbështetur dhe nga policia e rendit dhe
e forcave lëvizëse operacionale. "Janë
ngritur disa grupe Task Forcë, të drejtuara
nga Drejtoria e Policisë Rrugore, për të
operuar në të gjithë territorin e vendit.
Gjithashtu u është dhënë kompetencë
Patrullave të Përgjithshme të Policisë së
Shtetit për të operuar në fushën e qarkullimit
rrugor", deklaroi zyrtarisht Drejtoria
e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Më
tej, zëdhënësi i kësaj strukture, Klodian
Branko, deklaroi se për shkak të faktit se
në dy muajt e fundit nëpërmjet pikave të
kalimit kufi tar kanë hyrë dhe dalë nga Shqipëria
579 mijë e 540 automjete, ose 133
mijë automjete më shumë se e njëjta periudhë
e vitit të kaluar, u kërkohet të gjithë
drejtuesve të automjeteve, përdoruesve të
rrugës, të zbatojnë me rigorozitet normat e
sjelljes së Kodit Rrugor, të ndërgjegjësohen
për pasojat e rënda që sjell moszbatimi i
këtyre rregullave për ta, pasagjerëve apo
qytetarëve të tjerë. Më tej u theksua se Policia
e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë
maksimalisht drejtuesit e automjeteve që
nuk respektojnë rregullat e qarkullimit
rrugor. Gjatë këtij 7-mujori janë vendosur
rreth 355 mijë gjoba dhe janë hequr rreth
6 mijë patenta, 70% e të cilave janë hequr
për shpejtësi

Aksidentet, një i vdekur në çdo 30 orë

Ngjarjet e rënda të shënuara
nga aksidentet rrugore
kanë tronditur jo vetëm
policinë, por edhe opinionin,
sidomos kur shifrat janë vërtet
tragjike. Nga të dhënat zyrtare të
policisë mësohet se aktualisht shifrat
tregojnë që aksidentet sjellin
një të vdekur në çdo 30 orë, duke
nxjerrë jashtë parashikimit gjithë
masat parandaluese që qarkullimi
rrugor kishte marrë për këtë vit.
Madje, që në fi llim të vitit kishte
deklaruar se nga perfeksionimi
i punës do i mbante këto shifra
nën nivelin e vitit paraardhës. Siç
duket, çdo gjë ka dalë jashtë kontrollit,
duke e detyruar policinë të
marrë masa të tjera, veç atyre që
ishin shtuar për sezonin turistik.
Shifrat alarmante
Në statistikat e policisë, shifrat
kanë arritur aty ku nuk mbajnë
më, pasi aktualisht numërohen
183 të vdekur që nga fi llimi i këtij
viti. Sipas të dhënave zyrtare,
në këto aksidente kanë ndikuar
shumë shkeljet e ndryshme të
rregullave të qarkullimit rrugor,
por nuk duhen lënë mënjanë
edhe makinat e hyra në Shqipëri
nga vendet e huaja. Sipas të dhënave
policore, nëpërmjet pikave
të kalimit kufi tar kanë hyrë dhe
dalë nga Shqipëria 579540 automjete.
Ndërsa vitin e kaluar kanë
qenë 133 mijë automjete më pak
se e njëjta periudhë e këtij viti.
Nga Drejtoria e Sigurisë Rrugore
në Drejtorinë e Përgjithshme të
Policisë së Shtetit mësohet se 381
mijë e 716 mjete me targa shqiptare
janë në qarkullim në vendin
tonë. Sipas policisë, qarkullimi i
shumtë i mjeteve është një ndër
faktorët kryesorë të aksidenteve
rrugore, duke mos lënë mënjanë
edhe shkaqe të tjera. Për këtë aspekt,
policia deklaroi se 241 mijë
automjete me targa të huaja kanë
hyrë vetëm në këtë sezon turistik
në Shqipëri dhe për më tepër 800
mijë është numri i personave
që kanë lëvizur me këto mjete.
Ndërsa për kryeqytetin, që është
zona me fl uksin më të madh të
automjeteve, shifrat tregojnë se
23 mijë makina hyjnë në Tiranë në
çdo 24 orë vetëm nga autostrada
Tiranë-Durrës. Në kuadrin e shifrave,
policia tregon se në lidhje
me numrin e të vdekurve nga
aksidentet rrugore, pa llogaritur
të dëmtuarit rëndë apo ata më
lehtë, rezulton se në çdo 30 orë ka
nga një person të vdekur që nga
muaji janar e deri më sot. Madje,
policia shpjegon se rreth 50 aksidente
kanë ndodhur në vendin
tonë vetëm gjatë muajit korrik,
që u mbyll dje me disa persona të
tjerë të vdekur.
Shkaqet dhe shoferët
Sipas policisë, shkaqet që sjellin
këtë numër të lartë aksidentesh
janë të shumta. Veç atyre të
përmendura më lart, një numër i
madh aksidentesh vjen edhe nga
mosnjohja e rrugës prej shumë
shoferësh, sidomos emigrantëve.
Veç këtij problemi, ekziston ende
edhe problemi i sinjalistikës
rrugore. Madje, vetëm dy ditë
më parë, Avokati i Popullit dërgoi
një rekomandim në Drejtorinë
e Transportit Rrugor, ku kërkoi
që të rregullohet në maksimum
ky problem, pasi është edhe një
ndër shkaqet që sjellin aksidentet
rrugore, madje edhe ato me pasojë
vdekjen. Ndërsa shkaqet e tjera,
sipas të dhënave policore, lidhen
me drejtuesit e mjeteve. Shpejtësia
tej normave të lejuara është
një ndër problemet e theksuara
të shoferëve shqiptarë. Kjo vihet
re edhe në masat administrative
apo penale që janë më të shumtat
të ndërmarra nga policia rrugore
ndaj drejtuesve të mjeteve. Shkak
tjetër mbetet përdorimi i alkoolit
nga drejtuesit e makinave, por nuk
lihen mënjanë edhe përdorimi
i rripit të sigurimit, apo kaskat
mbrojtëse për drejtuesit e motorëve.
Duke analizuar gjithë këto
shkaqe, policia deklaron se me
minimizimin e tyre, që aktualisht
janë shkelje të Kodit Rrugor, do
të ulej ndjeshëm edhe numri i
aksidenteve, e sidomos i atyre me
pasojë vdekjen e personave.
Krahasimi me 2008-ën
Në analizën vjetore të Policisë
së Shtetit për vitin 2008, vetë kreu
i kësaj strukture, Ahmet Prençi, e
quajti një sukses minimizimin e
numrit të aksidenteve rrugore, si
dhe uljen ndjeshëm të viktimave
të shkaktuara prej tyre. Në fund të
vitit 2008, ai tha shprehimisht se
në lidhje me sigurinë rrugore, falë
masave të marra nga policia është
bërë e mundur ulja e aksidenteve,
pasi ishin 81 të vdekur më pak se
viti 2007. Sipas shifrave zyrtare
nga statistikat e policisë, gjatë vitit
2008 ka pasur 270 të vdekur nga
aksidentet rrugore. Por sivjet, që
deri tani kanë kaluar vetëm shtatë
muaj të një viti, janë shënuar 183
të vdekur. Me një shifër të tillë nuk
mund të bëhet një krahasim, por
duke krahasuar të njëjtën periudhë
me vitin 2008, rezulton se
numri i viktimave nga aksidentet
është shumë më i lartë. Për të
njëjtën periudhë, vitin e kaluar
ishin shënuar 137 të vdekur,
ndërsa sivjet 46 më shumë. Nuk
dihet si ky numër do të shkojë
deri në fund të vitit, por situata
mbetet alarmante dhe me gjithë
masat e marra, aksidentet rrugore
vazhdojnë të jenë një epidemi për
policinë.

Tiranë, 600 masa vetëm për 24 orë

Policia e Tiranë ka intensifi kuar edhe
më shumë luftën ndaj drejtuesve të
mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit
rrugor, duke vendosur një sërë masash
administrative. Sipas të dhënave zyrtare,
vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë
vendosur 600 masa administrative. Në
një njoftim për shtyp, policia deklaroi
se duke fi lluar nga dita e djeshme e në
ditët në vijim, shërbimi i policisë rrugore, i
mbështetur nga patrullat e përgjithshme,
do të organizojë pika kontrolli të lëvizshme
në rrugët nacionale në kryeqytet, si dhe
në superstradën Tiranë-Durrës, me synim
konstatimin dhe ndëshkimin e drejtuesve
kundërvajtës. Kryesisht masa do të merren
në drejtim të ecjes tej normave të
lejuara të shpejtësisë, përdorim të pijeve
alkoolike, mosrespektim të sinjalistikës
rrugore, mosvendosje të rripit të sigurimit,
përdorim i telefonit celular gjatë përdorimit
të mjetit dhe mospërdorim i kaskës mbrojtëse
nga ana e drejtuesve të motoçikletave.
Ndërkohë, shërbimi i policisë rrugore
Tiranë, vetëm ditën e djeshme ka vendosur
420 masa administrative në qytet dhe
180 masa administrative për ata drejtues
mjetesh që kanë qarkulluar në linja.

Parandalimi, shtohet "doza" e ndëshkimeve

Aksidentet rrugore automobilistike
të ditëve të fundit, që
kanë "pushtuar" gjithë rrugët e
vendit, kanë bërë që edhe policia
rrugore në Komisariatin e Policisë
Bulqizë të rrisë ndjeshëm numrin e
drejtuesve të mjeteve të ndëshkuar
për shkelje të rregullave të qarkullimit
rrugor. Në këtë kuadër, kjo
polici ka intensifi kuar ndjeshëm
punën në drejtim të parandalimit
të aksidenteve rrugore, ku deri
më tani në Rrethin e Bulqizës nuk
është regjistruar ndonjë aksident
automobilistik me pasojë humbjen
e jetës njerëzore, ndërkohë që nuk
kanë munguar ata me plagosje
personi. Kështu, vetëm në javën
që po lëmë pas, janë regjistruar të
paktën tre aksidente të tilla, ku janë
plagosur pesë persona. Burime
nga kjo polici bëjnë me dije se një
i tillë u regjistrua edhe në ditën e
djeshme rreth orëve të mesditës,
ku një makinë me targa angleze,
që e dispononte një emigrant i
kthyer në vendin tonë nga Anglia
me pushime, në sajë të shpejtësisë
së madhe ka humbur kontrollin
e makinës, duke dalë nga rruga
dhe duke përfunduar në kanal. Si
pasojë, drejtuesi i mjetit ka marrë
plagë të lehta, ndërsa makina ka
pësuar dëme serioze. Ardian Balla,
shefi i qarkullimit rrugor në Policinë
e Rrethit të Bulqizës, thotë se
një ndër shkaqet kryesore të këtyre
aksidenteve mbetet shpejtësia e
lëvizjes jashtë normave të lejuara,
pijet alkoolike, rrugët në ndërtim,
sinjalistika e paplotë rrugore në
ndonjë rast, si dhe shtimi i numrit
të automjeteve me rastin e kthimit
të emigrantëve me pushime.
Vetëm në dy ditët e fundit, nga
policia rrugore janë dhënë 26 masa
ndëshkuese, si dhe janë bllokuar
4 leje drejtimi automjeti për mosrespektim
të sinjalistikës rrugore.

Aksioni, edhe në Kukës
forcohen masat rrugore

Nisur nga numri i lartë i aksidenteve tragjike të ndodhura
në rrugët e vendit, edhe Drejtoria e Policisë
së Kukësit ka intensifi kuar shërbimin e kontrollit rrugor
në të gjitha akset. Drejtori i policisë, Muharrem Furriku,
tha për gazetën "Shqip" se janë përforcuar pikat e kontrollit
në rrugë, me qëllim shmangien e aksidenteve.
"Në sezonin e tanishëm turistik, në rrugët e rajonit të
Kukësit, veçanërisht në aksin e autostradës, lëvizin
rreth 13 apo 14 mijë mjete në ditë dhe për të shmangur
aksidentet kemi ngritur grupe shtesë të shërbimit
rrugor", tha Furriku, duke shtuar se deri tani ia kishin
dalë të shmangin çdo aksident të mundshëm. Ai tha
gjithashtu se efektivët e qarkullimit rrugor ushtronin
kontroll intensiv mbi dokumentacionin e automjeteve,
gjendjen e tyre, si dhe aftësitë drejtuese të shoferëve.
Veçanërisht në segmentet e rrugës së vjetër, që ende
nuk është lidhur me autostradën, ku krijohet radhë
tepër e gjatë e automjeteve, menaxhimi nga policia i
lëvizjes është i domosdoshëm. Policia kryen në shumë
pika edhe rolin e tabelave treguese, duke shmangur
devijimet lehtësisht të mundshme në qytetin e Kukësit.
Gjatë muajit korrik, në Qarkun e Kukësit janë shënuar
tre përplasje automjetesh pa pasoja në shëndetin e
njerëzve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›