E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e 17-vjeçares në operacion, ekspertët: “Faji i mjekut”

Autori i Lajmit: Silvana Balliu

Ekspertë të Mjekësisë Ligjore kanë zbuluar dje në sallën e gjyqit fakte tronditëse që rëndojnë mbi pozitën e mjekut Xhevahir Hoxhallari.
Mjeku akuzohet për “mjekimit të pakujdesshëm” që shkaktoi dhe vdekjen e 18-vjeçares, Matilda Petriti nga Maliqi i Korçës.
Dëshmia e ekspertëve
Katër ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore u janë përgjigjur 68 pyetjeve mbi ngjarjen e rëndë të vitit 2008, pas operacionit të bajameve në klinikën e tij private. Ekspertët kanë zbuluar se është ndërhyrë 3 herë mbi plagën e 18-vjeçares dhe pikërisht ndërhyrja e fundit i ka shkaktuar asaj vdekjen. Eksperti ligjor Elmaz Shaqiri ka deklaruar në sallën e gjyqit në Gjykatën e Tiranës se pas operacionit të heqjes së bajameve më 6 prill 2008 mjeku ka ndërhyrë dhe dy herë të tjera. Ndërhyrja e dytë më 14 prill dhe ndërhyrja tjetër më 15 prill. Ekspertët thonë se ndërhyrja e fundit ka sjellë dhe kalbëzimin e venës, që ka çuar më pas në çarjen e saj dhe shpërthimin e hemorragjisë e cila i mori jetën 18-vjeçares. Eksperti ka nënvizuar si tjetër shkelje të rënde edhe faktin se mjeku nuk kishte bërë përshkrimin në kartelën e pacientes. Prokurorja Anila Galanxhi kishte thirrur dje në gjykatë ekspertët mjeko-ligjorë Fatos Sinani, Gjergji Syko, Elmaz Shaqiri dhe Admir Sinemati, të cilët kanë kryer autopsinë e vajzës së vdekur nga mjekimi i gabuar.
Si vdiqa 17-vjeçarja
Historia e 17-vjeçares, Matilda Petriti fillon më 6 prill 2008, pas një operacioni në bajame të kryer nga mjeku Xhevahir Hoxhallari në klinikën e tij private në Pogradec. Për shkak të komplikacioneve të krijuara, më 27 prill Petriti u soll në QSUT, ku mbylli sytë përjetë. Familjarët akuzuan mjekun si shkaktar të vdekjes së vajzës. Pas denoncimeve të të afërmve të viktimës, Prokuroria nisi hetimet ndaj mjekut. Autopsia vërtetoi se 17-vjeçarja korçare humbi jetën si pasojë e hemorragjisë së madhe të krijuar pas ndërhyrjeve kirurgjikale. Pas një sërë veprimesh hetimore organi i akuzës kryeqytetase mbylli hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj Xhevahir Hoxhallarit për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”. Më 22 korrik të vitit të kaluar kjo Gjykatë mori vendimin për ti hequr të drejtën e ushtrimit të profesionit mjekut Xhevair Hoxhallari, por vetëm për pjesën që ka lidhje me operacionet. Sipas vendimit të gjykatës, Hoxhallari nuk ka të drejtë të operojë asnjë pacient në klinikën e tij private, në Pogradec po ashtu edhe në spitalin shtetëror.

Dëshmitarët që rëndojnë
pozitën e mjekut

Në procesin kundër mjekut janë thirrur si dëshmitarë jo vetëm familjarët e 17-vjeçares që humbi jetën disa ditë pas ndërhyrjes për heqjen e bajameve por edhe mjekët. Prokuroria ka bërë kërkesë të thirren si dëshmitarë familjarët e të ndjerës edhe mjekë, kërkesë e cila u bë edhe nga avokati mbrojtës i të pandehurit. Përveç kirurgut që e ka operuar vajzën në klinikën e tij private në Pogradec, çështja e vdekjes së Matilda Petritit fillimisht pati nën hetim edhe mjekë të tjerë të spitalit civil pas diskutimeve se përse mjekët neglizhuan të ndërhynin për ta shpëtuar atë megjithë gjendjen e saj të rënduar.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›