Shirat shkaktojnë përmbytje në Lezhë, 200 hektarë të mbjella nën ujë

Lezhë, 13 dhjetor 21:16 NOA - Rreth 200 hektarë tokë e mbjellë me kultura të ndryshme është nën ujëra pas shiut që ka rëndë gjatë gjithë ditës së sotme në prefekturën e Lezhës, informon korrespondenti i agjencinë së lajmeve NOA.
Problematike vazhdon të mbetet zona e Kurbinit, ku tokat e përmbytura në Bashkinë Mamurras, si në fshatin Gjormë dhe Fushë Mamurras, në Laç, zona e Ferrë-Trashës, në Fushëkuqe, zona e Gurëzit dhe ajo e Gorres.
Ndërsa në Lezhë zonat e përmbytura janë ato të Balldrenit dhe të Torrovicës. Ndërsa nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, përmbytja në këto zona ka ardhur si rezultat i mos marrjes së masave paraprake për hapjen e kanaleve kulluese.
Ndërkohë që nëse shirat do vazhdojnë me të njëjtin intensitet në ditët në vazhdim rrezikohet që rruga që lidh Laçin me Mamurrasin të bllokohet në hyrje të Sanxhakut, për shkak se ujërat dalin mbi rrugën nacionale.
Specialistët u shprehën sot se kjo vjen për shkak të mos hapjes së kanalit kryesorë kullues dhe bllokimit të tij sidomos në grykëderdhje.
Mbetja e kësaj sipërfaqe toke nën ujë do të nxirrte të paktën 10 ha të mbjella jashtë funksionit si dhe mbi 10 dynymë hardhi rrushi në fshatin Gjormë të Kurbinit.
b.a/NOA