E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zylfie Haklaj, dërgohet kërkesa për ekstradimin

• TIRANE - Prokuroria fillon hartimin e dosjes që do të dërgohet në Suedi për të kërkuar ekstradimin në Tiranë të Zylfie Haklajt, motrës së Hamdi Haklajt.

Ajo u arrestua pak ditë më parë në Goteborg të Suedisë, pasi ishte paraqitur me vullnetin e saj tek autoritetet, duke depozituar një kërkesë për azil politik. Gjatë shqyrtimit të kërkesës dhe dokumenteve, autoritetet e Suedisë zbuluan identitetin e vërtetë të 45-vjeçares së shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe menjëherë kryen arrestimin e saj. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se dosja për ekstradimin e Zylfie Haklajt do të përmbajë elementët identifikues të saj si dhe vendimin e Gjykatës së Tiranës për dënimin e saj me 25 vjet burg. Në fakt, ky është një vendim që ende nuk ka marrë formën e prerë, pasi është ankimuar në Gjykatën e Apelit nga avokatët mbrojtës. Në dosjen e ekstradimit, Prokuroria do të administrojë edhe provat për akuzat e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje ndaj Zylfie Haklajt. Ajo është akuzuar për vrasjen e Rasim Lumneshit e Ilir Gosturanit dhe plagosjen e Izet Dushajt dhe Hysen Biberit më 2 prill 2002 në qendër të qytetit të Tropojës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›