E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitblerjet Inter-Milan Morati Nuk e shes kurre Snajderin

Ndoshta një kampion më shumë ishte i tepërt, por kurrë nuk mund të quhen të tillë ata që po mbajnë skuadrën në këmbë. Presidenti i Interit, Masimo Morati, deklaroi prerë se nuk ka menduar kurrë që të largojë nga skuadra Uesli Snajderin, organizatorin e shkëlqyer holandez që më në fund po tregon veten pas dëmtimeve që pati.
Pas shumë muajsh në të cilët emri i holandezit ka qenë nëpër media si “objekt” transferimi (sidomos për tek Junajtid), vetë presidenti zikaltër hodhi poshtë çdo dyshim.
“Nuk kam menduar kurrë që Uesli të largohej nga ne, - ishin fjalët e tij, - ai është një kampion i madh”. Ndërkaq, Snajder flet edhe vetë. “Unë do të qëndroj te Interi, ndihem shumë mirë e nuk kam arsye të ndërroj skuadër”, - thotë ai, - Jemi të lumtur për atë që po bëjmë ndeshjet e fundit dhe duhet të vazhdojmë këtë rrugë. Trajneri Klaudio Ranieri po bën një mrekulli dhe nëse vazhdojmë kështu mund të fitojmë titullin”.
Ndërkaq, në gjysmën kuqezi të Milanos, bëjnë me dije se kanë arritur një akord me sulmuesin e Katanias, Maksi Lopez, por ëndrra e vërtetë mbetet Karlos Tevez. Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, theksoi se vazhdon të presë për sulmuesin argjentinas, pritje që besohet se do të vazhdojë deri në fund të janarit.
Sipas Galianit, në ekip do të vijë vetëm njëri nga sulmuesit dhe jo të dy. Vetë Tevez ka deklaruar se dëshiron vetëm skuadrën e Alegrit, por Mançester Siti nuk është i kënaqur me atë që ka ofruar klubi milanist.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›