E Diel, 1 Nëntor 2026

UEFA tjeter dosje per trukimet ne futbollin shqiptar

Pas raportit të dërguar në Federatën Shqiptare të Futbollit në fundin e vitit 2011 me 13 ndeshje të dyshuara si të trukuara, 12 prej të cilave të edicionit të kaluar, UEFA ka vazhduar korrespondencën me institucionin që drejton sportin më popullor në vend, rreth plagës që ka goditur futbollin europian dhe botëror.

Në zyrat e FSHF-së ka mbërritur një tjetër dosje nga Federata Europiane, që dyshohen si të manipuluara. Takimet përfshijnë të gjitha skuadrat e Superligës dhe i përkasin sezonit aktual. Megjithatë, duhet theksuar se pjesa më e madhe e ndeshjeve të dyshuara janë në Kupën e Shqipërisë, një turne ku pjesa më e madhe e ekipeve nuk kanë ambicie dhe me ndryshimin e skemës, bëri që në shumë ndeshje të luanin skuadra eksperimentale.

Raporti i zakonshëm i UEFA-s, i cili ka mbërritur në zyrat e FSHF-së, është një praktikë e zakonshme që përdoret edhe me të gjitha federatat e tjera. Dyshimet për ndeshjet lindin duke u bazuar te Sistemi i Dedektimit të Mashtrimit Sportiv, ku me ndihmën e kompanive më të mëdha të basteve, UEFA njoftohet për lëvizje të çuditshme të koefiçientëve të ndeshjeve.

Pas dosjes së re, Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar menjëherë dhe në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv miratoi krijimin e Komisionit të Etikës. Miratimi për ngritjen e këtij komisioni dhe anëtarët e tij do të përcaktohen në Asamblenë e muajit shkurt që do të zhvillohet në Shkodër.

Komisioni i Etikës, i cili do të funksionojë duke u bazuar te një rregullore e posaçme, do të shqyrtojë implikimin e lojtarëve, drejtuesve të klubeve, trajnerëve e zyrtarëve në baste, trukime ndeshjesh apo edhe marrje rryshfetesh.

Ndërkohë, deri në ngritjen e këtij komisioni, ndeshjet e dyshuara, sipas niveleve 1, 2 dhe 3, ku kjo e fundit është kategoria e takimeve me dyshimet më të mëdha, do ti kalojnë për shqyrtim Disiplinës, që nëpërmjet inspektorëve do të hetojnë rreth informacionit të servirur nga UEFA.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›