Shiten 8.9 miliardë lekë, bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka përfunduar ditën e djeshme ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 6 dhe 12 mujor, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shitur në ankand është 8.9 miliardë lekë.
Për bonot me maturim 12 mujor nga 16 kërkesat konkurruese të paraqitura u pranuan 15 prej tyre. U kërkuan për shitje bono me vlerë 6,111,670,000 lekë dhe u shitën bono me vlerë 6,100,000,000. Yield-i maksimal i pranuar është 8.25% , yield-i minimal i pranuar është 8.1% , yield-i mesatar i thjeshtë është 8.15% dhe ai mesatar i ponderuar është 8.17%. Këto bono maturohen më 8.04.2010. Për bonot me maturim gjashtëmujor u pranuan 7 nga 10 kërkesat konkurruese të paraqitura, dhe u shitën 2,800,000,000 lekë nga 3,471,600,000 lekë që ishte vlera e kërkuar. Ndërkohë që Yield-i maksimal i pranuar është 7.53%, yield-i minimal është 7.38%, ai mesatar i thjeshtë është 7.44% dhe ai mesatar i ponderuar është 7.51%. Këto bono do të maturohen në 20.09.2009