E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani vë alarmin për krizën ekonomike, pas deklaratave të FMN

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë heshti për krizën
Më në fund Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka pranuar se vendi ynë është nën ndikimin e krizës ekonomike që ka mbërthyer botën. Megjithëse deri tani guvernatori Fullan, i cili përfaqëson një institucion të pavarur, ka heshtur duke u bërë palë me qeverinë në entuziazmin e saj për mosekzistencën e krizës në vend, tashmë ka filluar të lëvizë nga qetësia e tij. Në vend të vënies së sirenave të alarmit për rrezikun që i kanosej ekonomisë shqiptare, guvernatori Fullani heshti duke e lënë në heshtje fenomenin krizë të gërryente ekonominë. Guvernatori Fullani duke ditur situatën e zhvillimeve ekonomike gjatë vitit 2008 dhe duke parë se ekonomia rrezikohej nga rënia e kreditimit, rritja e borxhit, rritja e deficitit tregtar, rënia e importeve dhe rritja e eksporteve në vend të kërkonte nga qeveria marrjen e masave për nxitjen e ekonomisë dhe uljen e shpenzimeve, u bë palë me qeverinë në deklaratat e saj optimiste dhe aspak profesionale. Ditën e djeshme në Komisionin e Ekonomisë  Guvernatori Ardian Fullani vuri në dukje se ekonomia shqiptare po vihet gjithnjë e më shumë nën ndikimin e krizës botërore. Sipas tij, pasiguria që përcolli tronditja e sistemit financiar botëror u reflektua në tërheqjen e një pjese të depozitave nga sistemi, duke sjellë probleme likuiditeti në të dhe tendenca për rritjen e normave të interesit. Kjo situatë ka ndikuar në mënyrë të natyrshme në uljen e mundësisë dhe gatishmërisë së sistemit për të kredituar ekonominë. Nga ana tjetër, zhvillimet e ekonomisë globale sugjerojnë se ekonomia shqiptare duhet të përballohet me një reduktim të nivelit të remitancave dhe të hyrjeve kapitale gjatë vitit 2009. Këto zhvillime përbëjnë një reduktim të mëtejshëm të mundësive të financimit të aktivitetit ekonomik si dhe dëmtojnë balancat e kërkesës dhe ofertës për valutë. Ato janë shoqëruar me lindjen e presioneve nënçmuese ndaj kursit të këmbimit, ashtu si dhe në ekonomitë e shumë vendeve të tjera të Evropës Lindore. Në vetvete, ky nënçmim përbën një sjellje korrektuese, në kushtet e regjimit fleksibël të kursit të këmbimit që aplikohet në Shqipëri. Guvernatori Fullani pranoi ditën e djeshme se ekonomia shqiptare gjatë vitit në vijim do të ketë mungesë likuiditeti  e cila do të sjellë shtrëngim të kushteve të financimit të aktivitetit. Në raportin e tij Fullani tha se: Ekonomia shqiptare do të përfitojë më pak kredi gjatë vitit 2009. Kjo mungesë likuiditeti kufizon edhe hapësirat që ka politika fiskale dhe monetare për reagim. Në këto rrethana, ajo që kërkohet është një eficiencë më e madhe e përdorimit të fondeve të sistemit bankar, nëpërmjet renditjes prioritare të shpenzimeve në funksion të impaktit që kanë mbi rritjen ekonomike. Për më tepër, Banka e Shqipërisë gjykon se sjellja e deficitit të llogarisë korrente duhet të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Barazimi i këtij deficiti me hyrjet e reduktuara të llogarisë kapitale, duhet të jetë një prioritet tjetër i zhvillimit të politikave ekonomike. Sikurse e theksova dhe më parë,-tha Fullani,- ky moment kushtëzon ndjeshëm ekuilibrat makroekonomikë dhe financiarë të vendit. Për këtë arsye, ai do të jetë në vëmendjen e vazhdueshme të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë që sipas Fullanit, viti 2008 u karakterizua nga një rritje e ndjeshme e shkëmbimeve ekonomike e tregtare me jashtë. Kërkesa e brendshme është reflektuar në rritjen e deficitit tregtar dhe të deficitit të llogarisë korrente gjatë vitit 2008. Deficiti i llogarisë korrente arriti në 14.9 për qind të PBB-së, i ndikuar kryesisht nga rritja e shpejtë e importeve dhe nga ngadalësimi i remitancave përgjatë pjesës së dytë të vitit, si pasojë e forcimit të efekteve të krizës ekonomike në ekonomitë e vendeve fqinje. Deficiti tregtar arriti vlerën e 2.4 miliardë eurove, duke qenë rreth 13.1 për qind më i lartë se në vitin 2007. Deklaratat e djeshme të Fullanit duket se vijnë si reflektim i vonuar i njeriut që ka përgjegjësinë kryesore në zhvillimet ekonomike në vend, deklarata që vijnë si rezultat i reagimeve të institucioneve ndërkombëtare dhe jo si rezultat i kurajës së tij civile apo dhe i ndjenjës së detyrës që i ka caktuar parlamenti i Shqipërisë. Guvernatori i Shqipërisë është pjesë e lojës së qeverisë në krizën aktuale që ka mbërthyer vendin dhe që do të amplifikohet në ditët në vijim.  

Boks
Deklarata e FMN për krizën ekonomike
Mjedisi botëror ekonomik ka vazhduar të përkeqësohet që nga fillimi i krizës financiare vjeshtën e kaluar. Sipas parashikimeve të FMN-së të marsit të 2009, aktiviteti ekonomik botëror në 2009, pritet që të tkurret për herë të parë në 60 vjet. Europa Qendrore dhe Lindore është ndërmjet rajoneve më të prekurave çka pasqyron defiçitet e mëdha fiskale dhe të jashtme të rajonit. Këto zhvillime ndikojnë edhe Shqipërinë, megjithëse politikat e saj të shëndosha markoekonomike dhe strukturore në të kaluarën e vendosën atë në një pozicion më të mirë fillestar se shumë vende të tjera në rajon. Megjithatë, eksportet janë frenuar, dërgesat e emigrantëve kanë filluar të bien dhe rritja e kreditimit po ngadalësohet, çka nga ana tjetër ngadalëson investimet. Rritja e të ardhurave buxhetore po ngadalësohet në një kohë kur si financimi i brendshëm dhe i jashtëm për buxhetin po bëhet gjithnjë e më i kufizuar.
Në këtë kuadër, tashmë është koha që të përshtaten politikat. Ndërsa regjimi i luhatjes së lirë të kursit të këmbimit deri më tani ka realizuar një pjesë të përshtatjes, është e domosdoshme që buxheti gjithashtu ti përshtatet realitetit të ri. Sidomos, shpenzimet kontigjente nga realizimi i të ardhurave, përfshirë këtu dhe rritjen e pagave dhe të pensioneve duhet të kryhen vetëm nëse do të identifikohen masa kompensuese. Për më tepër, në këtë pikë nuk ka hapësirë për uljen e planifikuar të normave të kontributeve të sigurimeve shoqërore apo ndonjë inisiativë të re shpenzimesh. Në mënyrë të veçantë, të gjithë të ardhurat nga privatizimet strategjike duhet të përdoren për financimin normal të defiçitit këtë vit.

Gerwin Bell    Ann-Margret Westin
Shef Misioni    Përfaqësuese e Përhershme

Last Updated on Thursday, 09 April 2009 10:16

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›