E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE reagon ndaj akuzave të PS

Reforma në sektorin energjetik, një nga më të suksesshmet
Reforma në sektorin energjetik ka qenë një ndër reformat më të suksesshme të ndërmarra ndonjëherë. Zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Iva Tiço, reagoi ndaj akuzave të Partisë Socialiste, e cila akuzoi METE-n se po zvarrit me qëllim procedurat e garës për disa HEC-e. "Qëndrimi i opozitës shtrembëron me qëllim informacionin dhe raportin e Avokatit të Prokurimeve. Partia Socialiste nuk përmend faktin se këto janë 2 ndër 150 projekte, për të cilat METE po punon dhe asnjë shkelje nuk ka rezultuar për projektet e tjera, qoftë edhe thjesht në afate kohore", theksoi Tiço. Zëdhënësja e METE-s sqaroi se në të vërtetë këto dy projekte kanë pasur probleme përsa i takon ruajtjes së mjedisit dhe sigurimit të kanaleve të ujitjes. Sipas saj ky është një fakt, i cili vërteton se METE është seriozë dhe shumë profesionalë ndërsa trajtojnë projekte të tilla. Partia Socialiste, për tetë vjet rresht, jo vetëm nuk arriti të kryente qoftë edhe një investim të vetëm në impiante të prodhimit të energjisë elektrike, por ato pak marrëveshje koncesionare që arriti të lidhte dolën marrëveshje të dështuara, me problematikë të theksuar nga ana e transparencës e praktikave korruptive, ka vijuar ajo. Ndër të tjera, nëpërmjet deklaratës së saj, theksohet se METE ka firmosur 50 kontrata për ndërtimin e 50 hidrocentraleve me fuqi 216 megavat dhe janë në shqyrtim e negocim projektet edhe për 103 hidrocentrale të tjera me fuqi mbi 1000 megavat. Në lidhje me këtë drejtim, Tiço ka shtuar se janë firmosur kontratat për 3 parqe energjetike ere, me një investim rreth dy miliard Euro. "TEC-i i Vlorës përfundon në maj të këtij viti; po ndërtohet hidrocentrali i Kalivaçit me një investim prej 130 milion Euro, kemi firmosur kontratën për hidrocentralin e Ashtës, 140 milionë Euro, punimet për ndërtimin e të cilit fillojnë këtë vit, si dhe kemi firmosur kontratat për ndërtimin e 3 hidrocentraleve në kaskadën e Devollit, projekt prej një miliard Euro,  i cili është më i madhi në Europë, bëri të ditur ajo. Përballë kësaj panorame, Tiço i ka parashtruar kërkesën opozitës, që të kuptojë faktin se kjo e vërtetë nuk mund të fshihet me deklarata elektorale. Partia Socialiste, me anë të deputetit të saj, Andis Harasani, akuzoi para dy ditësh Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës se po zvarrit proçedurat e tenderëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›